UBT News

Izolimi i detyruar nga pandemia ka ndikuar në rritjen e rasteve të dhunës në familje

Dhuna në familje është një problem i përhapur në mbarë botën dhe çdo vit përmes fushatave anembanë botës bëhen thirrje për veprime globale për të rritur ndërgjegjësimin dhe për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave.

Ekspertja në fushën e marrëdhënieve familjare e trashëgimore, njëherësh dekane në Fakultetin  Juridik në UBT, Jorida Xhafaj, e ftuar në programin e mëngjesit në “Radio Campus”, ka diskutuar rreth dhunës në familje, sidomos ndaj grave dhe parandalimit të kësaj dukurie.

“Është një fenomen  që shqetëson shoqërinë në mbarë botën. Nëse i referohemi deklaratës së Kombeve të Bashkuara për eliminimin e dhunës kundër gruas, ajo është përcaktuar si një manifestim i marrëdhënies së pabarabartë midis dy gjinive, sidomos pushtetit që ka ekzistuar nga gjinia mashkullore. Ky manifestim e ka rënduar edhe më tepër gjendjen”, u shpreh Xhafaj.

Xhafaj ka folur edhe për format më të shpeshta të përhapjes së dhunës ndaj grave, ku sipas saj, jo çdo herë është ajo fizike.

“Format më të ndeshura të dhunës në familje janë: dëmtimet fizike, dëmtimet e lehta, dhuna psikologjike dhe kanosjet, kurse ndër shkaqet kryesore janë pabarazia gjinore, përdorimi i alkoolit, xhelozia etj.”, tha ajo.

E pyetur se a ka mjaftueshëm studime mbi këtë dukuri, Xhafaj tha se dita ditës po punohet edhe më tepër për studime të tilla.

“Studimet kryhen në instanca të ndryshme, me strategji të ndryshme, ka studime që kryhen në kuadër të policisë, institucioneve arsimore, e që UBT-ja prin me stafin akademik i cili del me përfundime cilësore, që publikohen në revista të shumta”, shtoi ajo.

Megjithatë, ndikimi i pandemisë Covid-19, gjatë periudhës karantinimit në muajt mars-maj ka shënuar rritje të rasteve të dhunës në familje edhe më tepër.

“Ka pasur rritje me 33% të rasteve të raportuara. Një studim nga anëtaret e fakultetit juridik në UBT, erdhi pikërisht pas rritjes së këtyre rasteve. Studimi përfshin rastet në dhjetë vitet e fundit e që vlerat janë rritur në mënyrë proporcionale. Referuar shifrave në polici 72% e meshkujve kanë ushtruar dhunë ndaj grave”, tha ajo.

Kurse, UBT në bashkëpunim me UNDP përmes një hulumtimi me temën: “Dhuna me bazë gjinore në Kosovë -nevoja për përmirësim i  shërbimeve ndaj viktimave të dhunës në familje dhe  ndikimi negativ i pandemisë COVID-19”, e që ka për qëllim që të bëjë identifikimin e studentëve të cilët dëshirojnë që shkrimit të kontribuojnë në përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe të fitojnë aftësi në aspektin e hulumtimeve.

Ndonëse vitet e fundit po bëhet përpjekje e vazhdueshme për barazi gjinore, hulumtime dhe analiza të ndryshme të bëra në Kosovë flasin për mospjesëmarrje të barabartë në tregun e punës në mes të femrave dhe meshkujve në fushën e biznesit, por duket se kjo dukuri ka filluar të ndryshojë.

Të dhënat tregojnë se shkalla e dhunës në familje është rritur ndjeshëm në vendet e Ballkanit që nga vendosja e kufizimeve në lëvizje në luftën kundër COVID-19.

Exit mobile version