U është vazhduar dhe për dy muaj të tjerë masa e paraburgimit tre të dyshuarve V.T, B.S dhe D.M. për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.
Lajmin e ka konfirmuar Medina Gashi, bashkëpunëtore profesionale në zyrën e kryetares së gjykatës.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 20.08.2024 ka marrë Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, ka thënë ajo.
Tre të dyshaurit V.T, B.S dhe D.M. janë në paraburgim që nga 26 shtatori i vitit të kaluar.
Në sulmin që ka ndodhur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy oficerë të tjerë të policisë.