UBT News

Italia vazhdon të jetë nën kontrollin e valës së të nxehtit ekstrem

Italia edhe të enjten ishte nën kontrollin e valës së tretë të të nxehtit të verës edhe pse kulmi i saj kaloi të mërkurën.

Numri i qyteteve të mëdha italiane në alarm të kuq ra nga 23 në 18. Ato janë Ancona, Bari, Cagliari, Campobasso, Catania, Civitavecchia, Firence, Frosinone, Latina, Messina, Napoli, Palermo, Perugia, Pescara, Reggio Calabria, Rieti, Roma dhe Viterbo.

Bologna, Brescia, Trieste, Torino, Venecia dhe Verona dolën nga lista e kuqe, pasi ishin në atë listë të mërkurën, ndërsa hyri Reggio Calabria.

Kur ministria e shëndetësisë vendos një qytet në alarm të kuq, kjo do të thotë se nxehtësia është aq e fortë sa që konsiderohet një kërcënim për të gjithë popullsinë, jo vetëm për grupet e cenueshme si të sëmurët, të moshuarit dhe fëmijët e vegjël, shkruan Ansa.

Ministria e Shëndetësisë nxori udhëzime se si të përballen njerëzit me valën e të nxehtit.

“Ju mund të mbroni veten kundër të nxehti duke pirë shumë ujë, duke zgjedhur një dietë të bazuar në perime dhe fruta të freskëta dhe duke shmangur konsumimin e tepërt të ushqimeve yndyrore dhe alkoolit”, tha ministri i Shëndetësisë, Orazio Schillaci.

“Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet të moshuarve dhe fëmijëve”.

“The Times” e ka quajtur Romën “Qyteti Infernal” për shkak të nxehtësisë nëpër të cilën po kalon.

Shkencëtarët thonë se kriza klimatike e shkaktuar nga emetimet e gazrave serrë të njeriut po i bën më të shpeshta dhe më intensive ngjarjet ekstreme të motit si valët e të nxehtit, thatësira, stuhitë e forta, dhe përmbytjet.

Një studim i koordinuar nga Instituti i Barcelonës për Shëndetin Global dhe i botuar në revistën Nature Medicine javën e kaluar vlerësoi se mbi 18,000 njerëz vdiqën në Itali për shkak të nxehtësisë intensive që kombi ka pasur verën e kaluar.

Exit mobile version