Qeveria italiane ka miratuar një dekret që parashikon uljen e përkohshme të taksave mbi naftën me 17 cent për litër, në përpjekje për të lehtësuar ndikimin e rritjes së çmimeve të karburanteve mbi qytetarët dhe bizneset.
Masa do të mbetet në fuqi të paktën deri më 6 gusht. Ministri i Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti, bëri të ditur se qeveria do të mblidhet më 4 gusht për të shqyrtuar zhvillimet e fundit dhe për të vendosur nëse do të ndërmerren masa të tjera.
Sipas Giorgettit, nëse situata në tregjet ndërkombëtare vazhdon të përkeqësohet, ekzekutivi është i gatshëm të ndërhyjë edhe për të kufizuar ndikimin e rritjes së çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit.
“Do të vlerësojmë se si do të zhvillohet situata”, deklaroi ministri.
Edhe kryeministrja Giorgia Meloni mbrojti vendimin e qeverisë, duke theksuar se Italia po përballet me një krizë që nuk e ka shkaktuar vetë, por që duhet ta menaxhojë me përgjegjësi.
“Rritja e çmimeve të naftës godet veçanërisht sektorët e transportit dhe bujqësisë, ndërsa në fund kostoja përkthehet në një barrë për çdo familje italiane”, tha Meloni.
Ajo pranoi se ulja e taksave nuk është një zgjidhje përfundimtare, por e cilësoi atë si një ndërhyrje të domosdoshme.
“Ne e dimë se kjo nuk e zgjidh problemin, por është një përgjigje në kohë dhe e përgjegjshme, duke marrë parasysh burimet e kufizuara që kemi dhe një situatë ndërkombëtare që po ndryshon vazhdimisht”, u shpreh kryeministrja.
Një masë e ngjashme u zbatua edhe në Gjermani në fillim të këtij viti, kur parlamenti miratoi një ulje të përkohshme të taksave mbi naftën dhe produktet e saj, përfshirë benzinën. Megjithatë, ajo skadoi në fund të qershorit, pak para përshkallëzimit të ri të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, zhvillim që ndikoi në një tjetër rritje të ndjeshme të çmimeve të karburanteve gjatë javëve të fundit.
Me këtë vendim, Italia synon të zbusë përkohësisht presionin mbi ekonominë familjare dhe sektorët më të prekur, ndërsa pret zhvillimet e mëtejshme në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
/DW//D.L/
