UBT News

Italia largon detyrimin për vendosjen e maskave nga 28 qershori

Italia do ta heqë detyrimin për veshje të maskës në ambiente të jashtme, nisur nga 28 qershori.

Qeveria tha se e mori vendimin pasi numri i rasteve me koronavirus dhe i shtrimeve në spital është në rënie.

Detyrimi për maska është vendosur qysh në tetor të vitit të kaluar, kur Italia po hynte në valën e dytë të koronavirusit dhe autoritetet po luftonin për të frenuar infeksionet në rritje.

“Nga 28 qershori, ne do ta lëmë pas nevojën për të mbajtur maska jashtë, në zonat e bardha”, tha ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza.

Nga kjo datë, e gjithë Italia pritet të shpallet zonë e bardhë, që nënkupton nivelin më të ulët të rrezikut nga koronavirusi.

Tash për tash, 19 nga 20 rajonet e Italisë janë të bardha. Vetëm zona veriore Valle d’Aosta është e verdhë.

Vendime të ngjashme për maskat kanë ndërmarrë edhe shtetet e tjera evropiane, të tilla si Franca dhe Spanja, përkundër shqetësimeve për përhapjen më të shpejtë të variantit Delta të koronavirusit.

Italia është ndër vendet më të prekura nga koronavirusi në Evropë.

Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins, ky vend ka regjistruar mbi 4.2 milionë raste të të infektuarve dhe mbi 127,000 viktima.

Rreth 26% e italianëve janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit, ndërsa rreth 52% kanë marrë së paku një dozë të vaksinës.

Exit mobile version