Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto tha se numri në rritje i emigrantëve që kalojnë Mesdheun vjen si pasojë e “luftës hibride” që u zhvillua nga Rusia duke përdorur mercenarë si përfaqësues të vendeve që mbështesin Ukrainën.
“Unë mendoj se tani është e domosdoshme të thuhet se rritja eksponenciale e fenomenit migrator që niset nga brigjet afrikane është gjithashtu, në një masë jo të parëndësishme, pjesë e një strategjie të qartë të luftës hibride që divizioni Wagner po zbaton, duke përdorur peshën e saj të konsiderueshme në disa vende afrikane”, njoftoi Crosetto përmes një deklarate.
Besohet se grupi Wagner vepron në disa vende afrikane, sikurse Libi, Mali dhe në Republikën e Afrikës Qendrore. Ky grup u përfshi jashtëzakonisht shumë gjatë përpjekjeve të Rusisë për ta kapur qytetin e Bakhmutit, në Ukrainën lindore.
“Ashtu si BE, NATO dhe Perëndimi e kanë kuptuar se sulmet kibernetike ishin pjesë e konfrontimit global që hapi lufta në Ukrainë, ato gjithashtu duhet të kuptojnë se edhe fronti i Evropës Jugore po bëhet çdo ditë më i rrezikshëm”, tha Crosetto.
Rritja e emigrantëve nga Afrika
Diku 20 mijë njerëz kanë hyrë në Itali këtë vit, krahasuar me 6 mijë e 100 në periudhën e njëjtë të vitit 2022, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Brendshme të Italisë. Vetëm gjatë javës së kaluar, diku 1 mijë e 200 njerëz arritën në brigjet italiane.
Ky është një problem për qeverinë e kryeministres Giorgia Meloni, e cila krijoi një platformë për emigracionin. Në fillim të këtij muaji ajo u bëri thirrje liderëve të BE-së që të bëjnë më shumë për të ndaluar emigracionin e paligjshëm. Ajo tha se bandat kriminale dhe trafikantët e njerëzve nuk duhet të kontrollojnë fluksin e emigrantëve dhe paralajmëroi për presion të paprecedentë nga numri i njerëzve që përpiqen të arrijnë në Evropë./UBTNews/