Shteti italian ka blerë një pikturë të mjeshtrit barok të shekujve 16-17, Caravaggio, për 30 milionë euro, një nga shumat më të mëdha që vendi ka paguar ndonjëherë për një vepër arti.
Ministri i Kulturës i Italis tha se vepra, një portret i klerikut Maffeo Barberini i cili më vonë u bë papa Pope Urban VIII , është e një “rëndësie të jashtëzakonshme”. Ai shtoi se blerja është pjesë e një plani më të gjerë për të parandaluar që veprat e mëdha të artit të përfundojnë në koleksione private.Piktura ishte ruajtur në një koleksion privat në Florence dhe u shfaq për herë të parë publikisht në Rome në vitin 2024.
Caravaggio, i njohur si mjeshtër i teknikës së ndriçimit që i bënte subjektet e tij të dukeshin sikur merrnin jetë, ka rreth 65 vepra të njohura të mbijetuara në mbarë botën, nga të cilat vetëm tre janë portrete.
Piktura është transferuar në koleksionin e përhershëm të Palazzo Barberini, shtëpia historike e familjes së subjektit të portretit në Romë ku u ekspozua për herë të parë. Ajo do të shfaqet krahas veprave të tjera të artistit.E pikturuar rreth vitit 1598, vepra e paraqet Barberinin si një klerik me mjekër, i cili duket sikur po jep udhëzime me dorën e djathtë të shtrirë.
Maffeo Barberini u zgjodh papë në vitin 1623 dhe shërbeu deri në vdekjen e tij në 1644. Ai njihej si një mbështetës i rëndësishëm i arteve.
Ministri i Kulturës, Alessandro Giuli, tha në një deklaratë se blerja është “pjesë e një projekti më të gjerë për të forcuar trashëgiminë kulturore kombëtare që Ministria e Kulturës do të vazhdojë ta ndjekë në muajt e ardhshëm, me qëllim që disa kryevepra të historisë së artit të bëhen të qasshme për studiuesit dhe dashamirët e artit, të cilat përndryshe do të përfundonin në tregun privat”.
“Dua të falënderoj të gjitha institucionet, zyrtarët dhe teknikët që kanë punuar me shumë aftësi dhe përkushtim për të arritur një rezultat kaq të rëndësishëm,” shtoi ai.
Caravaggio, emri i vërtetë i të cilit ishte Michelangelo Merisi, vdiq në vitin 1610 në moshën 38-vjeçare.Ai ishte i njohur për teknikën e tij të quajtur Chiaroscuro, përdorimi dramatik i dritës dhe hijes për të sjellë një realizëm të thellë psikologjik në skenat shpesh të dhunshme që ai pikturonte.
Marrë dhe përshtatur nga BBC
