Italia ka bërë histori duke u bërë vendi i parë në Bashkimin Evropian që miraton një ligj të plotë për Inteligjencën Artificiale, vendosur rregulla të qarta dhe dënime të rrepta për abuzimet me teknologjinë.
Sipas ligjit të ri, përdorimi i AI për të krijuar ose shpërndarë përmbajtje të manipuluar, si “deepfakes”, mund të sjellë dënime nga 1 deri në 5 vjet burg. Masat bëhen edhe më të rënda nëse teknologjia përdoret për krime si mashtrimi, vjedhja e identitetit ose dëmtimi i reputacionit.
Ligji vendos rregulla për transparencën dhe mbikëqyrjen njerëzore në vendet e punës, për të siguruar që AI të mos dëmtojë proceset sociale dhe të drejtësisë. Kryeministrja Giorgia Meloni e konsideroi hap vendimtar për të ardhmen e Italisë dhe të BE-së.
“Qëllimi ynë është një inteligjencë artificiale e përqendruar te njeriu, transparente dhe e sigurt, që ruan privatësinë dhe sigurinë kibernetike, ndërsa nxit inovacionin”, tha ajo.
Një pikë kyçe e ligjit është mbrojtja e të miturve: fëmijët nën 14 vjeç nuk mund të përdorin AI pa miratimin e prindërve.
Ky ligj, i harmonizuar me Aktin Evropian për Inteligjencën Artificiale, pritet të shërbejë si model për vendet e tjera anëtare, duke vendosur Italinë në qendër të diskutimeve mbi përdorimin etik dhe të sigurt të teknologjisë. /A.Z/UBT News/
