Zbulimi i trupit të pajetë të një gruaje në Itali ka ringjallur debatin për vetminë.
Policia konfirmoi se eshtrat e një gruaje 70-vjeçare u gjetën të premten në shtëpinë e saj në Prestino, pranë liqenit Como.
Ajo nuk kishte të afërm të gjallë dhe fqinjët e saj nuk e kishin parë apo dëgjuar për të për të paktën dy vjet e gjysmë, sipas mediave lokale.
Policia u thirr fillimisht në shtëpinë e saj për shkak të rrezikut të rënies së pemëve në kopshtin e saj.
Autoritetet thonë se nuk kishte asgjë që tregonte se vdekja e saj ishte e dyshimtë dhe komuna e Prestinos pritet të paguajë shpenzimet e varrimit.
“Ajo që ndodhi … vetmia e harruar, lëndon ndërgjegjen tonë”, tha Elena Bonetti, ministrja italiane për mundësi të barabarta dhe familje.
“Kujtimi i jetës së saj është detyrë e një komuniteti që dëshiron të mbetet i bashkuar”, shtoi ajo në Facebook.
“Ne duhet të ndalojmë së kufizuari horizontet tona në sferën private dhe t’i kthehemi kujdesit për njëri-tjetrin. Kujdesi për njëri-tjetrin është përvoja e familjeve, e institucioneve, e qytetarisë sonë: askush nuk duhet të lihet vetëm”.
Në Itali, pothuajse 40% e njerëzve mbi 75 vjeç jetojnë vetëm, sipas një raporti të vitit 2018 nga Instituti Kombëtar i Statistikave (Istat). E njëjta përqindje e njerëzve nuk kanë të afërm apo miq për t’u drejtuar në kohë nevoje./UBTNews/