Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka bërë të ditur se hetimet për rastin e sulmit ndaj familjes Jashari në Prekaz, të ndodhur në vitin 1998, pritet të përfundojnë së shpejti.
Në një konferencë për media, Isufaj tha se bëhet fjalë për një rast shumë të ndjeshëm, i cili kërkon maturi gjatë zhvillimit të hetimeve.
“Hetimet në rastet që lidhen me lagjen dhe familjen Jashari së shpejti do të finalizohen. Hetimi do të përfundojë shumë shpejt, pastaj të shohim. Ky hetim është shumë sensitiv, shumë i ndjeshëm dhe kërkon maturi. Thjesht, ne po e bëjmë atë punë. Nuk mund të them asgjë më tepër, përveçse hetimi është në përfundim”, deklaroi Isufaj.
Duke bërë një përmbledhje të punës së Prokurorisë Speciale gjatë vitit të fundit, ai veçoi edhe dy operacione të rëndësishme në fushën e hetimit të krimeve të luftës.
Sipas tij, në kuadër të hetimeve për Masakrën e Reçakut janë arrestuar pesë persona të dyshuar për krime lufte, ndërsa edhe pesë persona të tjerë janë arrestuar në lidhje me rastin e Syriganës në Skenderaj./A.K/
