Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria Kurti dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë që në mënyrë të menjëhershme të fillojnë urgjentisht procesin e uljes se çmimit të faturave të energjisë elektrike, si dhe të mbajnë përgjegjës para ligjit të gjithë akterët që kanë abuzuar me këto situata në sektorin e energjisë.
Në një konferencë për media, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili ka thënë se dyfishimi i çmimit të faturave të rrymës i ka rënduar qytetarët në këtë kohë që po përballen edhe me rritje të çmimeve te produktet esenciale. Sipas Ismailit, kur 19 për qind e familjeve në vend jetojnë nën pragun e varfërisë, është e padrejtë të bëhet ky manipulim me çmime.
“Në kohën kur qytetarët e Kosovës janë varfëruar edhe më shumë, ku 19 për qind e tyre jetojnë nën pragun e varfërisë, ata po detyrohen të paguajnë faturat më të shtrenjta të energjisë. Andaj, është një kërkesë e menjëhershme që Qeveria bashkë me ZRrE të fillojnë urgjentisht procesin e uljes se çmimit të energjisë elektrike, si dhe të mbahen përgjegjës para ligjit të gjithë akterët që kanë abuzuar me këto situata në sektorin e energjisë. Vazhdimi i faturimit të energjisë me tarifat aktuale do të jetë rrënuese për familjet në Kosovë”, tha Ismaili.
Ai shtoi se politika e qeverisë për t’i ndihmuar pensionistët dhe fëmijët me nga 100 euro, po dëshmohet se kanë qenë mjete të ndara për KEDS-in.
“Kjo qeveri fatkeqësisht nuk e ka as temë, as plan, as agjendë ngritjen e kapaciteteve të prodhimit vendor të energjisë dhe barrën e energjisë elektrike po ua lë qytetarëve. Një gjë është e qartë, ngritja e çmimeve të energjisë elektrike, i ka vënë qytetarët tanë para një vështirësie të madhe financiare duke ua shpenzuar buxhetin familjar para festave, duke i futur në borxhe familjet kosovare që të mund ta përballojnë. Këtë muaj ne kemi parë një politikë të qeverisë kinse për t’i ndihmuar qytetarët tanë, afro 58 milionë euro që u ndanë si subvencione nga qeveria për fëmijët dhe pensionet, po dëshmohet se në fakt ka qenë mjete të ndara për KEDS-in. Qytetaret vetëm janë përdorur si ndërmjetës në këtë transaksion të planifikuar, faturat e ‘stërvitura’ të energjisë janë dëshmi e kësaj politike të dëmshme dhe manipuluese”, tha ai.
Sipas tij, ky dyfishim i çmimeve është i pabazë, ndërsa ka shtuar se ambasadori i Kosovës në Slloveni, Martin Berishaj është përfshirë në skandalin më të madh rajonal të tregtimit të energjisë dhe shpëlarjes së parave.
“Nën këtë qeveri, ambasadori i Republikës së Kosovës në Slloveni, Martin Berishaj është përfshirë në skandalin më të madh rajonal të tregtimit të energjisë dhe shpëlarjes së parave. Në këtë qeveri kanë ndodhur rritja e parë e çmimit të energjisë për qytetarët në vlerë 100 për qind, pra është dyfishuar çmimi i energjisë pa asnjë analizë, asnjë raport që e mbështet këtë rritje. Më pas, sërish nën këtë qeveri ka ndodhur edhe ngritja e dytë e çmimeve të energjisë elektrike për 15.4 për qind. Kjo qeveri ka lejuar dyfishimin e energjisë elektrike në kohën e rritjes më të madhe të inflacionit që ka ndodhur në vendin tonë, ku çmimet e gjitha produkteve, esenciale dhe jo esenciale kanë pasur një rritje enorme, ndërkohë që për asnjë kategori sociale nuk janë përmirësuar të dyja. Kjo qeveri edhe pse sot çmimi i energjisë në bursën ndërkombëtare ka rënë nga 300 euro sa ka qenë për MGW vitin e kaluar në 21 euro në MGW këtë vit, sërish nuk ka marrë asnjë vendim për të zbritur tarifat e energjisë, por kanë mbajtur çmimet e larta aktuale, të cilat po paguajnë qytetarët”, tha Ismaili.
Ai po ashtu ka kritikuar Qeverinë Kurti se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë, teksa ka ndarë 113 milionë euro për t’ua paguar serbëve rrymën në veri.
“Kjo qeveri i ka dhënë 113 milionë euro nga taksat tona për të paguar energjinë e serbëve në pjesën e veriut të vendit tonë, dhe është pagesa më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë brenda afatit qeveritar të ndonjë qeverie. Kjo qeveri nuk ka bërë asgjë për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë, përkundër ajo ka hequr dorë edhe nga projekti i gazit amerikan që do të ndihmonte shumë sigurinë energjetike të vendit, rrjedhimisht edhe ekonomitë familjare të Kosovës”, përfundoi Ismaili.