Një udhëheqës i ISIS-K foli në një intervistë për CNN, disa ditë para sulmit pranë aeroportit të Kabulit, që vrau më shumë se 170 njerëz dhe plagosi qindra.
Ai u prezantua si Abdullah Munir dhe tregoi se ka rreth 600 luftëtarë në dispozicion të tij, të cilët janë indianë, pakistanezë dhe nga pjesë të tjera të Azisë Qendrore.
Ai shprehu pakënaqësinë e tij ndaj talebanëve, duke i kritikuar se nuk kishin qenë besnikë ndaj ideologjisë së tyre dhe ishin shitur ndaj ndikimeve të huaja.
Munir i akuzoi ata për moszbatimin e ligjit të Sheriatit, duke thënë se nuk kishin kryer asnjë ekzekutim, ndërsa shtoi se do t’i sulmonin sapo amerikanët të largoheshin.
“Ata që ndjekin Sheriatin janë vëllezërit tanë. Ata që nuk e bëjnë këtë janë kundërshtarët tanë. Talebanët nuk na përfaqësojnë më”, tha ai, duke i akuzuar ata për bindje ndaj forcave të huaja.
Kjo është arsyeja thonë ata se pse u bënë autonomë duke zgjedhur të luftojnë përkrah ISIS. Për të ardhmen, ata synojnë zhvillimin e forcave të Kalifatit si ISIS në Siri dhe Irak./euronews.al