Për herë të parë pas 15 muajsh, Phuket, ishulli më i famshëm i Tajlandës po i lejon turistët e huaj të cilët u vaksinuan kundër COVID-19, të hyjnë pa masa kufizuese.
Më 1 korrik, 25 pasagjerë arritën në Aeroportin Ndërkombëtar të Phuket nga Abu Dhabi. Ishte i pari nga katër fluturimet që mbërritën të enjten, duke transportuar rreth 400 turistë të vaksinuar nga Doha, Tel Aviv, Singapori dhe Abu Dhabi si pjesë e programit të ri “Phuket Sandbox”.
Ministri tajlandez i Turizmit, Phiphat Ratchakitprakarn tha se kjo do t’i ndihmojë ekonomisë së vendit që u godit rëndë nga pandemia COVID-19.
“Në vitin 2019, të ardhurat nga turizmi vendor dhe ndërkombëtar ishin 3 trilionë baht (93,7 miliardë dollarë), por në vitin 2020 u tkurrën në 800 miliardë baht”, tha ai.
1 korriku po konsiderohet si simbolikë sepse nuk pritet numër i madh i turistëve. Phiphat vlerëson se rreth 100 mijë turistë ndërkombëtarë do të mbërrijnë në Phuket gjatë tre muajve të parë të rihapjes, duke gjeneruar rreth 9 miliardë baht të ardhura./UBTNews