Është gjetur pa shenja jete Avdyl Begaj, 39-vjeçari nga fshati Banjë e Malishevës. Ai ishte shpallur i zhdukur që nga 18 janari i këtij viti.
Vullnetari në Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit, Ridvan Tahiri ka bërë të ditur se 39-vjeçari u gjet pa shenja jete në një fushë afër fshatit Siqevë mëngjesin e së martës.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë në rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Ai ka bërë të ditur se përveç njësive kompetente policore, në vend të ngjarjes ka dal edhe mjeku kujdestar i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.
“Sot rreth orës 10:00 të mëngjesit, një fshatar nga fshati Siqevë, komuna e Klinës, ka njoftuar policinë se në fushat e fshatit ka hasur në një trup të shtrirë, i cili sipas tij dyshohet të jetë pa shenja jete. Policia menjëherë iu është përgjigjur vendit të ngjarjes, gjithashtu në vend të ngjarjes ka dal edhe mjeku kujdestar, i cili e ka konstatuar vdekjen e viktimës. Në vend të ngjarjes janë të gjitha njësitë kompetente policore, është duke u punuar në mënyrë intensive për të kuptuar për rrethanat për ndriçimin e rastit”, tha Gashi.
