Në Maqedoninë e Veriut, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 554 persona që jetojnë me HIV, ndërsa 130 persona kanë vdekur nga SIDA që nga viti 1987. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), gjatë muajit dhjetor u raportuan dy raste të reja me HIV, ndërsa nëntori i vitit 2024 shënoi një vdekje nga SIDA në grupmoshën 20-29 vjeç. Në total, deri më 31 dhjetor 2024, janë konfirmuar 688 raste të regjistruara të HIV/AIDS në vend.
Përveç HIV-it, janë regjistruar gjithashtu raste të infeksioneve të tjera seksualisht të transmetueshme dhe infeksioneve me gjak, si sifilisi, hepatiti B dhe C viral, dhe klamidia, me gjithsej 22 raste të tilla. Ndërkohë, pas një periudhe të ulët të rasteve me Covid-19, janë raportuar 6 raste të reja gjatë javës së parë të janarit 2025. Pavarësisht numrit të vogël të rasteve, autoritetet theksojnë se nevoja për mbikëqyrje të vazhdueshme është e nevojshme për të parandaluar rritjen e mundshme të infeksioneve./UBTNews/