Pas suksesit të dokumentarit “Beckham” (2023), i cili u përqendrua në jetën dhe karrierën e futbollistit të njohur David Beckham, Netflix ka publikuar këtë vit një seri të re kushtuar bashkëshortes së tij – Victoria Beckham.
Projekti ndalet në rrugëtimin nga fama botërore si pjesëtare e grupit legjendar “Spice Girls”, deri te afirmimi si dizajnere e suksesshme dhe e respektuar në botën e modës. Dokumentari pasqyron vështirësitë, dështimet, paragjykimet e industrisë dhe pasiguritë personale që ajo ka përjetuar ndër vite, shkruan E! Online.
Premiera u mbajt dje në Londër, ndërsa dokumentari është i disponueshëm në Netflix. Victoria u martua me David Beckham më 1999, në kohën kur ishte nënë e djalit të parë, Brooklyn, vetëm 18 muajsh kur “Spice Girls” dhanë performancën e fundit në përbërjen origjinale, në vitin 2000. Pas ndarjes së grupit, ajo ka pranuar se ndiente pasiguri për të ardhmen e saj:
“Familja ime ishte e përsosur, por jeta dukej e ngadaltë. Ndihesha e vetmuar dhe mendoja: ‘Zot, a do të më ftojë më dikush në ndonjë projekt apo udhëtim?’ Thjesht nuk dija çfarë të bëja më,” ka treguar ajo.
David, pranoi se asokohe nuk e kishte kuptuar sa e vështirë ishte për bashkëshorten e tij. Victoria foli për presionin publik mbi pamjen fizike, duke kujtuar momentin kur u peshuar në mënyrë publike vetëm gjashtë muaj pas lindjes së djalit.
“Sot mund të qeshim me atë, por në atë kohë isha shumë e re dhe më lëndoi vërtet,” rrëfen ajo.
Ajo shtoi se ky presion ndikoi në vetëbesimin e saj: “Fillova të mos e pëlqeja më veten. Më quanin ‘Porky Posh’ ose ‘Skinny Posh’. Si pasojë, fillova të kontrolloja peshën time në mënyrë të pashëndetshme.”
Victoria pranoi se luftoi me çrregullime në ushqyerje: “Kur ke çrregullim në ushqyerje, bëhesh mjeshtër në fshehje. Kurrë nuk kam qenë e sinqertë për këtë as me prindërit. Dhe kur njerëzit të përsërisin vazhdimisht që nuk je e mjaftueshme, ajo të dëmton shumë.”
Pas zhvendosjes në Spanjë më 2003, e ndiente nevojën të qëndronte në qendër të vëmendjes, në mes të thashethemeve për jetën e çiftit.
“Ndihesha e paplotë, e trishtuar, sikur isha mbetur e ngrirë në kohë. E vlerësoja atë që kisha, por më duhej një qëllim,” kujton ajo.
Më 2008, Victoria themeloi markën e modës, por fillimi nuk ishte i lehtë. Redaktorja legjendare e Vogue, Anna Wintour, pranoi se për vite nuk kishte besuar në projektin e refuzonte ftesat për të marrë pjesë në sfilata. Vetëm në shtator 2013, ajo vendosi të shfaqej për herë të parë.
“E njihja si një Spice Girl. Shumë të famshëm që hyjnë në modë nuk janë dizajnerë të vërtetë. Por Victoria na bëri të ndryshonim mendim,” u shpreh Wintour në dokumentar. Deri në vitin 2016, biznesi i saj po përballej me humbje të mëdha financiare.
“Ishim miliona në humbje. Nuk dija çfarë të bëja,” kujton Victoria.
David pranoi se ajo periudhë ishte e vështirë edhe për të:
“Ne gjithmonë kemi qenë dakord të mbështesim njëri-tjetrin, por situata e saj financiare më shqetësoi shumë. Nuk ishte e qëndrueshme.”
Në vitin 2017, David Belhassen investoi në markën e saj e ndihmoi në ringritjen e kompanisë, edhe pse fillimisht ishte skeptik:
“Ishte një katastrofë. Nuk kishin bërë kurrë fitim. Madje shpenzonin rreth 80 mijë euro në vit vetëm për bimë zyre,” tha ai.
Victoria pranoi se kishte qenë “jashtëzakonisht e shthurur me paratë”: “Lejova që të ndodhte. Njerëzit kishin frikë të më thoshin ‘jo’.”
Sipas Fashion Network, më 2022 marka doli përfundimisht nga humbjet, duke shënuar kthesë të madhe në karrierën e një gruaje që nuk u dorëzua përballë skepticizmit të botës së modës. Dokumentari “Victoria Beckham” është tani i disponueshëm në Netflix. /A.Z/UBT News/