UBT News

Ish-ushtari i UÇK-së që pretendohet se u keqtrajtua: S’kam asgjë me Thaçin e të tjerët

Dëshmitari i 62-të i Prokurorisë, i cili dëshmoi me masa mbrojtëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka thënë në Hagë se i vjen keq që të katër të akuzuarit ndodhen aty dhe se ai nuk ka asgjë me ata.

S’di pse po zgjatni pyetjen. Ma bëri pyetjen ai tjetri. Unë me Kadri Veselin nuk kam kurrgjë. E respektoj. Kam respekt për të. Më vjen keq që ndodhet aty.. Ky s’ka bë kurrgjë. Po i bini shkurt. Nuk kam të bëj kurrgjë as me Kadri Veselin, as me Hashim Thaçin, as me Jakup Krasniqin, as me Rexhep Selimin. Unë kam të bëj [Redaktuar]. Edhe këta [redaktuar] t’i pyesësh e gjykojnë”, kishte thënë ky dëshmitar, dëshmia e të cilit u bë publike me disa pjesë që janë konsiderueshëm të redaktuara.

Dëshmitari ka thënë se e di se ka qenë Krasniqi zëdhënës i UÇK-së, por që nuk e ka takuar asnjëherë gjatë luftës.

Ndryshe, gjatë seancës në të cilën dëshmoi ky dëshmitar, u tha se ai u arrestua dhe u keqtrajtua nga anëtarët e UÇK-së për një periudhë trejavore, e që si pasojë e keqtrajtimit pati edhe lëndime serioze.

Këtij dëshmitari i ishte ofruar mundësia që t’i heq masat mbrojtëse por ai kishte refuzuar.

Dhomën ku është mbajtur i ndaluar, ky dëshmitar e përshkruan si një dhomë e shtruar me beton. Dhoma ku qëndronte, sipas dëshmitarit, ishte me dry dhe kishte persona që i bënin roje. Veç kësaj, ai ka pohuar se dhoma kishte dritare ku mund të shihej roja i armatosur.

Gjatë kohës sa ka qenë i ndaluar, dëshmitari mohoi së është dërguar përpara ndonjë gjykatësi ose është njoftuar për akuzat që rëndojnë mbi të. Kishte thënë se një person- emri i të cilit është i redaktuar, ia kërkoi Shtabit të Përgjithshëm lirimin e tij.

Ndërsa, sipas asaj dëshmie që është riklasifikuar si publike, dëshmitari ka pohuar se edhe vetë ka qenë pjesë e UÇK-së për më shumë se një vit dhe se iu bashkua sërish kësaj organizate kur u lirua.

Ndonëse shumë prej deklaratave të dëshmitarit nuk kuptohen për shkak të redaktimeve, ai me një rast thotë se atë nuk e ka rrahur Shtabi i Përgjithshëm. Veç kësaj, ai ka mohuar se e njeh dikë nga Shtabi i Përgjithshëm

Në vendin e dytë kur u dërgua, dëshmitari tha se ka qëndruar me ushtarë dhe u trajtua ngjashëm si ushtarët e tjerë. Ai gjithashtu ka mohuar se është mbajtur me të burgosurit, dhe është përgjigjur pozitivisht kur u pyet nëse ka pasur liri të lëvizjes.

Madje, ky dëshmitar ka mohuar se është marrë në pyetje si i dyshuar për bashkëpunim me armikun gjatë qëndrimit në këtë vendin e dytë. Për dikë, ai kishte thënë se nuk i respektonte urdhrat dhe se nuk u përgjigjte as në radio-lidhje.

Përveç kësaj, dëshmitari ka mohuar se ka pasur Polici Ushtarake. Ai ka shtuar se në zonën e tij kanë pasur një njësi të posaçme që u quajt speciale, e cila ka reaguar e para ndaj ndonjë sulmi nga serbët. Ndërsa, se kush merrej me ata që konsideroheshin s’i spiunë, dëshmitari tha se nuk e dinte.

Dëshmitari kishte thënë se UÇK-ja ishte ushtri vullnetare në të cilën mund të kyçeshe dhe të largoheshe kur të duash. Madje, ai ka pohuar se ka pasur raste kur ushtarët janë larguar edhe nga beteja.

Po, ne nuk kemi pas kazerma. Kjo u kanë ushtri vullnetare. Nuk të ka detyru kërrkush të shkosh ushtar, vetëm vullneti yt. Në qoftë se ke dezertuar, atëherë quhesh dezertor. Jo tradhtar, dezertor”, ka thënë dëshmitari.

Dezertimi, sipas dëshmitarit, ishte i ndaluar por që nuk mund të të ndalonte askush që ta bëje.

Ishte i ndaluar, po kush dojke me ik s’mund ta ndalshe”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk e di nëse dikush është ndëshkuar për një gjë të tillë.

Ai theksoi se e ndaluar ishte të vidhje, plaçkisje e të ndaloje civilë, duke shtuar se këtë ia tha komandanti i tij.

Gjatë fundit të dëshmisë së tij, duke u rikthyer tek tema e ndalimit të tij, dëshmitari ka thënë se Shtabi i Përgjithshëm nuk ka dhënë urdhër që ai të ndalohej.

Jo, Shtabi i Përgjithshëm s’ka dhënë urdhër me më ndalu mu”, ka thënë dëshmitari.

Për një person, dëshmitari tha se nuk është e vërtetë që si pjesë e Policës Ushtarake- e cila sipas tij nuk ka ekzistuar në zonën e tij, të ketë dhënë urdhra për arrestime. Madje, për një nga dëshmitarët, dëshmitari thotë se ka gënjyer shumë.

Në fund të dëshmisë së tij, ky dëshmitar kishte thënë “Faleminderit prej juve shumë. Dhe çlirimtarëve ju uroj lirim ma të shpejtë”.

Ndryshe, mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

Më pas, ish-diplomati amerikan Christopher Hill filloi dëshminë më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe më 11 nëntor 2025 dhe 12 nëntor 2025. E ish-këshilltari politik i Wesley Clark, Michael Durkee dëshmoi më 12 dhe 13 nëntor 2025. Ndërsa, më 17 nëntor e filloi dëshminë Wesley Clark i cili e përfundoi më pas më 18 nëntor 2025.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi/EO

Exit mobile version