Ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani është ndaluar nga Policia e Maqedonisë së Veriut, me një fletarrest të lëshuar nga Serbia. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton opinionin publik se është informuar për arrestimin e një shtetasi kosovar nga Policia e Maqedonisë së Veriut bazuar në një fletarrest të lëshuar nga Serbia. Fjala është për z. Blerim Ramadani, ish-anëtar i Zonës Operative të Nerodimes të UÇK-së”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.
Nga MPJD kanë thënë se ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja është angazhuar intensivisht për ta trajtuar këtë rast.
“Ambasadori ynë në Maqedoninë e Veriut, z. Qehaja, është angazhuar intensivisht për të trajtuar këtë rast dhe si MPJD Jemi duke punuar me autoritetet maqedonase për të siguruar lirimin e shpejtë të z. Ramadani”, thuhet më tutje në përgjigje.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kanë thënë se do të informojnë publikun për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë rast.