UBT News

Ish-truproja i Macron nën hetime për kontratën e nënshkruar me një oligark rus

Alexandre Benalla, ish-truproja famëkeq i presidentit francez Emmanuel Macron, u vu nën hetim zyrtar sot për një kontratë sigurie të nënshkruar nga një bashkëpuntor i tij me një oligark rus, sipas burimeve të sigurisë.

Benalla – i cili u pushua nga puna në vitin 2018 pasi u filmua duke sulmuar protestuesit – u arrestua së bashku me gruan e tij si pjesë e një hetimi mbi marrëdhëniet e biznesit të ish-bashkëpunëtorit të tij, Vincent Crase, kështu pohuan burimet franceze të sigurisë për AFP, transmeton UBT News.

Crase, një ish-polic që dikur merrej me sigurinë për partinë politike të Macron, u tha hetuesve në vitin 2019 se marrëveshja me oligarkun rus, Iskander Makhmudov, mbulonte sigurinë për të dhe fëmijët e tij në Francë dhe Monako.

Benalla mohoi të kishte lidhje me kontratën në vitin 2018. Ai ishte dikur i afërt me Macron, por që nga ajo kohë i njejti është shndërruar në një “telash” për kreun e shtetit.

Hetuesit francezë po hetojnë pastrimin e mundshëm të parave dhe korrupsionin në marrëveshjen midis kompanisë së Crase dhe Makhmudov, i cili njihet si person i afërt me liderin rus, Vladimir Putin.

Mediapart raportoi në dhjetor të vitit 2019 se marrëveshja ishte me vlerë rreth 294,000 euro.

Zhvillimi i fundit në atë që është quajtur “Benallagate” në shtypin francez erdhi një muaj pasi ish-truproja u dënua për sulmin ndaj dy demonstruesve të rinj gjatë një proteste antikapitaliste në vitin 2018, si dhe për falsifikim dokumentesh dhe mbajtje të paligjshme të një arme zjarri.

Macron e shkarkoi atë pasi u shfaq në një videoklip në vitin 2018 duke goditur një djalë të ri dhe duke kapur një grua të re nga qafa në një protestë me 1 maj në Paris.

Benalla mbante një helmetë policie, edhe pse kishte leje për ta ndjekur protestën vetëm si vëzhgues.

Pas shpërthimit të skandalit, Benalla pranoi gjithashtu se mbante një pistoletë gjatë daljeve me Macron, edhe pse ai ishte i autorizuar ta mbante atë vetëm brenda selisë së partisë së Macron.

Ai u shpall fajtor edhe për përdorimin e dokumenteve të falsifikuara për të marrë një pasaportë./UBTNews/

Exit mobile version