Ish-supermodeli amerikan Hoyt Richards, dikur një nga modelet meshkuj më të paguar në botë, ka rrëfyer për herë të parë në detaje për përvojën e tij brenda kultit misterioz “Eternal Values”, histori që trajtohet në dokumentarin e ri të HBO-së, Bring Me the Beauties: A Model Cult.
Në kulmin e karrierës së tij gjatë viteve ’80, Richards ishte fytyra e markave të njohura si Ralph Lauren, Dunhill dhe Donna Karan. Megjithatë, pas shkëlqimit të botës së modës, ai bënte një jetë krejt tjetër si anëtar i përkushtuar i kultit të udhëhequr nga Frederick von Mierers.
Von Mierers, një figurë enigmatike e shoqërisë së lartë në Nju Jork, pretendonte se ishte një qenie jashtëtokësore nga planeti Arcturus, e ardhur në Tokë për të përgatitur njerëzimin për një katastrofë globale që, sipas tij, do të ndodhte në vitin 1999. Ai tërhiqte modele, artistë dhe profesionistë të rinj, duke u ofruar “lexime shpirtërore”, gurë të çmuar me pretendime shëruese dhe mësime për ndriçim shpirtëror.
Richards u përfshi në këtë grup që në vitin 1978 dhe qëndroi pjesë e tij për më shumë se dy dekada. Edhe pas vdekjes së Von Mierers nga komplikimet e lidhura me AIDS-in në vitin 1990, ai dhe disa ndjekës të tjerë vazhduan aktivitetin e kultit deri në vitin 1999.
Sot, në moshën 64-vjeçare, Richards pranon se ishte “i manipuluar psikologjikisht” dhe thotë se ka kaluar 25 vjet duke reflektuar mbi atë periudhë të jetës së tij.
“Kam dashur gjithnjë e më shumë ta ndaj këtë histori me publikun, sepse besoj se ka një vlerë të madhe për të kuptuar se si njerëzit mund të bien pre e manipulimit,” është shprehur ai.
Dokumentari sjell dëshmi nga ish-anëtarë të kultit dhe hedh dritë mbi mënyrën se si organizata, e cila dikur kishte anëtarë nga elita e modës dhe shoqërisë amerikane, arriti të ushtronte ndikim të madh mbi ndjekësit e saj./BBC//A.K/
