Ish-studentja e Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, Elsa Demolli është punësuar në kompaninë ndërtimore “ARSEKO”, në të cilën përveç aktiviteteve projektuese në zyrë, është e angazhuar edhe me mbikëqyrje dhe monitorim të punimeve në terren.
Elsa Demolli ka përfunduar suksesshëm edhe praktikën profesionale në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, saktësisht në Departamentin e Planifikimit Hapësinor, Ndërtimit dhe Banimit.
Elsa vlerëson që në UBT praktika e komunikimit student-profesor promovohet shumë dhe studentët kanë përkrahje kur duhet të sqarojnë çështje të ndryshme në lëndët e tyre. Kjo ka krijuar një mjedis të përshtatshëm në UBT, duke i dhënë studentëve ndjenjën se janë gjithmonë në plan të parë. Për Elsën, koha e studimeve në UBT ka qenë një nga periudhat më të mira të jetës së saj deri tani.
“Mënyra se si profesorët e dhuronin informacionin apo dijen, si e shtjellonin apo e përpunonin atë dhe se si na bënin të mendojmë që ajo dije mund të ndërveprojë në lëndët dhe problematikat e tjera profesionale, ishte një gjë shumë e veçantë dhe na bënte të qëndronim të koncentruar për shkak se na nxitej kureshtja për të marrë përgjigjet e pyetjeve që na silleshin në mendje ose që profesori i bënte”, ka thënë Demolli.
Sikurse Elsa, shumica e studentëve të Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT janë të angazhuar nëpër kompani të ndryshme, apo edhe institucione brenda dhe jashtë vendit.