Ish-studenti i Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, Vildan Bina ka krijuar një aplikacion “Doktorim”, platformë e cila do të jetë në shërbim të qytetarëve për të plotësuar nevojat e tyre shëndetësore.
Vildani qysh në vitin e dytë të studimeve akademike në UBT, është angazhuar si praktikant në kompaninë zviceriane “Sidora”, teksa tashmë pas suksesit të treguar përgjatë gjithë kësaj periudhe ai është avancuar tutje, duke u ngritur në pozitën e Software Developer, Full-Stack Developer, e më pastaj duke u bërë edhe bashkëpronar i kompanisë “Sidora” në pozitën e “Chief Operating Officer”.
Ai vlerëson se studimet në UBT, gjegjësisht në Fakultetin Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, kanë qenë dobiprurëse dhe e kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë në arritjen e tij profesionale.
“Nëpërmjet UBT-së unë i mësova bazat e programimit, zhvillimi i aplikacioneve në mënyrën më të mirë të mundshme, bazat e teknologjive më të fundit dhe atyre që janë më trend, menaxhimin e projekteve, përpilimin e kërkesave nga ana e klientit. Në UBT mora njohuritë bazë të programimit dhe një shtysë të madhe nga profesorët dhe asistentët e UBT-së”, ka thënë Bina.
Aplikacioni “Doktorim” është një platformë online e cila ndihmon pacientët që të gjejnë doktorin për nevojat e tyre. Doktorët do t’i kenë të gjitha detajet e nevojshme në profilin e tyre, gjithashtu do ta kenë edhe pjesën e vlerësimeve, ku secili pacient ka mundësi që të vlerësojë doktorin e tij, po ashtu secili pacient do të ketë mundësi që në kohë reale të rezervojë termin tek doktori i caktuar.