Ish-presidenti kroat, Stjepan Mesiç, të hënën e përshkroi luftën e vazhdueshme midis Rusisë dhe Ukrainës si një luftë katastrofike që preku më së shumti qytetarët evropianë.
“Unë nuk pres që Rusia të arrijë të gjitha qëllimet e saj në këtë luftë, por në të njëjtën kohë ka gjasa që edhe Perëndimi të mos jetë në gjendje t’i arrijë të gjitha qëllimet e veta“, tha Mesic.
Ai tha se nuk priste që lufta në Ukrainë do të cenonte sigurinë e Ballkanit.
Mesiç hodhi poshtë spekulimet se një luftë mund të përhapet në rajone të tjera.
“Është e pamundur që lufta në Ukrainë të përhapet në një rajon tjetër, veçanërisht në Ballkan. Ka nga ata që janë të pakënaqur me rezultatet e luftës që u zhvillua në territoret e ish-Jugosllavisë dhe duan që kufijtë të ndryshohen përsëri. Këta janë krerët e Republikës Srpska (një nga dy entitetet federale në Bosnje dhe Hercegovinë)”, tha Mesiç.
“Këta njerëz mendojnë se kufijtë mund të ndryshojnë sot, por kufijtë nuk kanë ndryshuar as pas vdekjes së 100 mijë njerëzve. Kush do të mendonte të ndryshonte përsëri kufijtë e Ballkanit? Është absolutisht e pamundur“, përfundoi ai. /UBTNews/