Ish-presidenti Joe Biden ka bërë të ditur publikisht se është diagnostikuar me një formë agresive të kancerit të prostatës, e cila tashmë ka përhapje në kocka. Zyra e tij konfirmoi lajmin të dielën, duke nxitur reagime dhe mbështetje nga mbarë bota.
Në një postim emocional në rrjetet sociale, Biden falenderoi të gjithë ata që i dërguan fjalë ngushëllimi dhe mbështetje, përfshirë një letër private nga Mbreti Charles i Britanisë së Madhe.
“Kanceri është një sfidë që prek shumë prej nesh,” shkroi Biden. “Unë dhe Jill kemi kuptuar se jemi më të fortë pas përballjes me vështirësitë. Faleminderit që na qëndroni pranë me dashuri dhe përkrahje.”
Zyra e ish-presidentit bëri me dije se diagnoza është një kancer i prostatës në fazë të avancuar, me një rezultat Gleason 9, që tregon agresivitet të lartë të sëmundjes, dhe që është përhapur në kocka.
Lajmi ka ndezur debatin mbi shëndetin e Bidenit, duke bërë që ish-presidenti Donald Trump të reagojë fillimisht me keqardhje, por më pas të ngrisë dyshime përse diagnoza nuk ishte bërë publike më herët.
“Jam i befasuar që publiku nuk është njoftuar më herët, pasi për të arritur në këtë fazë duhen vite,” tha Trump, duke sugjeruar se ekipi i Bidenit mund ta ketë fshehur këtë fakt.
Megjithatë, ekspertët e shëndetit bëjnë me dije se zbulimet e kancerit në faza të avancuara nuk janë të rralla. Një studim i vitit 2014 në Mbretërinë e Bashkuar tregoi se afërsisht 46% e pacientëve me kancer diagnostikohen në faza të vona të sëmundjes.