Presidentët Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi janë shpallur qytetarë nderi të komunës së Drenasit, për çka shprehën mirënjohjen e tyre. Në mbledhjen solemne të Kuvendit Komunal, ish-presidentët nuk lanë pa përmendur situatën e brishtë në veri të vendit, duke theksuar se Kosova e Shqipëria të bashkuara do ta tejkalojnë çdo sfidë.
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka vlerësuar këto tri personalitete mjaft të rëndësishme për kombin shqiptar.
“Këto tre personalitete të rralla janë të fushave të ndryshme por me rrugën dhe vizionin e njëjtë, atë të përparimit të Shqipërisë dhe kombit shqiptar kudo që jeton. Kjo ditë qe ju po pranoni titullin qytetar nderi është dita e shënuar për ne dhe jo rastësisht me urimin për qytetarë nderi urojmë edhe ditën e Ushtrisë së Kosovës. Për qytetarë nderi të Drenasit, si president, profesor keni promovuar vlerat e shqiptarëve kudo ku keni qenë. Ju keni prezantuar Republikën e Shqipërisë dhe njëherësh edhe Republikën e Kosovës, aty ku Kosova nuk kishte qasje, keni qenë për Kosovën kur rruga për çlirim u ndez aq fort sa rrezikohej qenia jonë fizike, prandaj jeni edhe më meritorët për këtë titull si qytetar nderi. Bashkë me aleatë fituam luftën, por pa Shqipërinë kjo nuk do të arrihej dhe Kosova këtë nuk do ta harrojë”, tha Lladrovci.
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi. Derisa foli për unitetin mes shqiptarëve, Minxhozi tha se situtata që po kalon vendi është e vështirë, porse Kosova dhe Shqipëria do ta kalojnë.
“Kanë qenë vitet me të zjarrta të përpjekjeve dhe këto tre president në periudha të ndryshme qe si faktorë uniteti të bashkonin politikën shqiptare, me një zë për të përkrahur Kosovën për të arritur aspiratën e tyre… Situata që po kalon Kosova është një situatë e vështirë por situatat e vështira kalohen me miq, shokë e vëllezër dhe kjo sallë na ka bashkuar të gjithëve me qëllim të përbashkët që çdo sakrificë, vështirësi, Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë bashkë dhe ta kalojnë së bashku”, theksoi Minxhozi.
Ish-presidenti Rexhep Meidani është shprehur i emocionuar për këtë titull, derisa tha se ëndërron që një ditë të dy vendet të jenë të bashkuara me një himn.
“Ëndërroj një gjë të ishim bashkë, dhe këto mendime më erdhën në mendje në kohën kur u ekzekutuan himnet e flamurit dhe prapë kemi dy himne. Kur do vijë dita që të kemi një të vetëm, e unë besoj se do të bijë dita kur do të jemi bashkë, dhe pikërisht për këtë jete do të luftojmë bashkë dhe të jemi gjithë kohën në haromi me njeri tjertin për ta ndihmuar Kosovën dhe Shqiperinë. Edhe në qoftë se politika nuk e kupton, ne të ndikojmë në poltikën e të arrijmë përsëri këtë ëndërr të madhe, ëndrrën e të njejtit flamur dhe të njejtit himn”, shprehet Meidani.
Edhe ish-presidenti Alfred Moisiu po ashtu është shprehur mirënjohës për titullin e marrë. Moisiu tha se është mirë që në situatën që po kalon Kosova të shohin të gjithë se Kosova dhe Shqipëria janë bashkë dhe do të përballojnë çdo vështirësi.
“Në kohë kur situa politike në kufirin me Serbinë, kur probleme të ndryshme gjeostrategjike qarkullojnë është mirë ta shikojë që ne jemi bashkë, jemi një komb dhe kështu si jemi do e përballojmë. E kanë ditur të parët tanë që në situata shumë të vështira të gjejmë mundësinë të bashkohemi dhe të përballojmë situata…Dhe ne nuk duhet t’i harrojmë asnjëherë sakrificat dhe trimërinë që kanë treguar shqiptarët gjatë problemeve të rëndësishme”, tha Moisiu.
Se shqiptarët të bashkuar do ta përballojnë çdo sfidë e tha edhe ish-presidenti Besim Topi.
“Jam shumë mirënjohës dhe falënderues që më bëtë pjesë të komunës suaj, një komunë e cila pavarësisht se Kosova është martire në çdo qelizë të saj kjo është kryeqendra që kanë memorie historinë e një lufte heroike dhe me shumë heronj… Atmosfera sot përzihet me disa situata që po ndodhin në Veriun e Kosovës, patjetër që ne jemi në një situatë paqe dhe uroj që situata e paqes do të vijë… Të kujtojmë pjesën e pushkës sepse pa atë nuk do të kishte pasur çlirim por me shumë inteligjencë të kapim paqen dhe të vijë dita që Kosova dhe Shqipëria të jenë bashkë në një himn”, tha Topi.