Ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Eris Jashari, që nga e marta është futur në grevë urie, me kërkesë realizimin e sigurimit shëndetësor dhe jetësor për policët.
Në një deklaratë për medie, Jashari i cili tani është koordinator në Organizatën Joqeveritare “Ktheju Tokës Tënde”, ka kërkuar nga ligjvënësit që ta rregullojnë këtë çështje.
“U bëj thirrje të gjithë deputetëve pa dallim etnie, partie që ta rregullojnë me ligj sigurimin shëndetësor dhe jetësor për policët e Kosovës”, tha Jashari.
“Unë kam punuar polic, prej 1 shkurtit pra nesër bëhen 11 vite prej që unë kam hi në Policinë e Kosovës si 19-vjeçar, ku kam punuar për 5 vite me plot krenari po them dhe me 4 korrik 2017 kam ofruar dorëheqjen prej Policisë së Kosovës, një ndër arsyet pse unë kam dhënë dorëheqje kanë qenë pikërisht kushtet e punës, të cilat në atë kohë veçse kanë qenë duke u përkeqësuar ditë e për ditë, por assesi nuk ma ka marrë mendja që pas 6 viteve vjen puna edhe barazohet rroga ime që e kam marrë para 6 viteve në Policinë e Kosovës me rrogën që e marrë sot si punëtorë në sektorin privat e që kjo tregon se ku ka ngecë Policia e Kosovës”, tha Jashari.