Një raport i ri pretendon se i ndjeri Gjon Pali II dinte për abuzimin e fëmijëve në Kishën Katolike të Polonisë edhe para se të merrte postin e Papës.
Më tej raporti pretendon se Papa i ndjerë ndihmoi në mbulimin e abuzimeve. Raporti bazohet në një hetim nga Michal Gutowski për transmetuesin televiziv polak TVN. Gutowski pretendon se Papa, i njohur në atë kohë me emrin e tij origjinal Karol Wojtyla, ishte në dijeni të rasteve të priftërinjve pedofilë brenda kishës ndërsa shërbente ende si kardinal në Krakov. Thuhet se për të shmangur një skandal, ai i transferoi priftërinjtë në dioqeza të tjera të largëta.
Në vitin 2015, ai madje i shkroi një letër rekomandimi kardinalit të Vjenës, Franz Koenig për një nga priftërinjtë e akuzuar për pedofili. Në letër nuk përmendeshin akuzat për abuzim.
Gjon Pali II ishte papë për 27 vjet – nga 1978 deri në vdekjen e tij në 2005.
Gjatë hetimit të tij, Gutowski bisedoi me viktimat e priftërinjve të dyshuar pedofilë. Ai foli edhe me familjet e viktimave dhe ish-punonjësit e dioqezës së kishës.
Si provë, Gutowski, sipas AFP, citon dokumente nga policia sekrete e SB nga epoka komuniste dhe dokumente të rralla të kishës në të cilat ai arriti të kishte akses.
Megjithatë, atij iu mohua hyrja në dioqezën e Krakovit. Në të kaluarën, kisha polake ka refuzuar t’i japë të dhëna gjyqësorit ose policisë për rastet e abuzimit të të miturve nga kisha.
Një nga burimet e Gutowskit pretendoi se në 1973 e kishte njoftuar personalisht ish-papën për aktet e pedofilisë. “Wojtyla fillimisht donte të sigurohej që të mos ishte një bllof”, pohon burimi.
Thuhet se kardinali i atëhershëm i tha atij të mbante të fshehtë informacionin, duke thënë se “ai do të merrej me të”.
Vitet e fundit janë parë disa raportime për abuzime të ngjashme të të miturve nga kisha polake. Pas raportimeve, veçanërisht në dy vitet e fundit, disa zyrtarë të lartë të kishës janë akuzuar nga Vatikani për fshehje të pedofilisë nga anëtarët e klerit./UBTNews/