Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka akuzuar Qeverinë Kurti për keqmenaxhim të pandemisë.
Zemaj në një konferencë për media tha se afati se kur qytetarët duhet të marrin dozën e dytë të vaksinës është 8 qershori. Por që sipas tij, ende nuk ka konfirmim nëse në Kosovë do të arrijnë dozat e dyta të kësaj vaksine.
Madje ai deklaroi se nëse vazhdohet me këtë ritëm të vaksinimit, ky proces mund të mos kryhet deri në tri vjet. Zemajt ka kritikuar Qeverinë edhe për numrin e ulët të testimeve.
“Kjo Qeveri mori vota e mori pushtetin, duke i kujtuar qeverisë së re që koha e dozave të dyta të vaksinave nuk ka ardhur, ndërsa qytetarët presin këto vaksina. Për fat të keq kjo nuk ka ndodhur, qytetarët janë të painformuar nga ata që premtuan dhe nuk informuan drejtë, nëse vazhdon kështu atëherë gjendja pandemike do të zgjasë gjatë, ku qytetarët po vdesin shumë. Po bëhen pak teste normal që ka pak raste, sepse po i detyrojnë bashkatdhetarët tanë që të shkojnë nëpër klinika private për testim. Shtimi i personelit shëndetësor është anuluar nga një Qeveri e papërgjegjshme, që nuk e ka konsideratë gjendjen e qytetarit e as nuk ka ndonjë plan për pandeminë dhe as platformë qeverisëse”, deklaroi ai.
Zemaj tha se LDK-ja kërkon që Qeveria të bëjë hapa konkret për gjendjen e pandemisë dhe shëndetit të qytetarëve, të krijohen kushte për personelin shëndetësor, të bëhet shtimi i pagesave të personelit shëndetësor. Madje ai ka kërkuar nga Qeveria Kurti të rrisë bashkëpunimin me Shqipërinë.