Ish-ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka raportuar në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve dhe mjeteve mësimore.
Bytyqi ka thënë se shpërndarja e teksteve shkollore është bërë pas marrjes së informatave paraprake nga Drejtoritë Komunale të Arsimit për numrin e nxënësve, e më pastaj janë ftuar shtëpitë botuese që të aplikojnë.
Bytyqi ka folur për procedurat e atëhershme të furnizimit me tekste shkollore, e cila ka qenë si praktikë që ka funksionuar nëpërmjet blerjes së tyre nga MAShTI.
“Ne kemi bërë blerje e jo subvencionim të librave. Si procedura nëse flasim, është formuar gjithmonë komisioni, i cili paraprakisht ka marrë informacione nga drejtoritë komunale të arsimit për numrin e saktë të nxënësve nëpër shkolla”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se janë ftuar dy shtëpitë botuese të certifikuara dhe është negociuar për blerjen e teksteve shkollore.
Deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj, pyeti ish-ministrin e Arsimit se si janë marrë vendimet për tekstet nëpër shkolla.
“Nuk ka të bëjë me vendime por me zbatim të legjislacionit. Si procedura, është formuar Komisioni i cili paraprakisht ka marrë info nga DKA ka marrë numrin e saktë të nxënësve për secilën shkollë dhe mbi numrin e nxënësve janë ftuar shtëpitë botuese për të aplikuar. Kjo pra ka qenë procedura e mirë e blerjes së teksteve shkollore”, u përgjigj ish-ministri.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, pyeti nëse nxënësit janë furnizuar me kohë për tesjte shkollore, por këtë e mohoi ish-ministri.
“Në kohën sa keni qenë ministër, a janë siguruar librat më 1 shtator. A ka mund me ndodh që me i subvencionuar prindërit për blerje të librave”, pyeti Haxhiu.
“Unë mendoj që i kemi përmbushur detyrimet ligjore që na kanë detyruar dhe nuk është menduar subvencionimi por furnizimi”, u përgjigj Bytyqi.
Kryetari i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj, pyeti për koston e furnizimit me tekstet shkollore, por që përgjigja e tij ishte që nuk ka informatë zyrtare. Ndërsa për mosfurnizimim të nxënësve me libra, ish-ministri tha se ka mundur të ndodh për shkak të ndonjë problemi teknik.