Ish-kryeministri australian, Scott Morrison, i ka rezistuar thirrjeve për të dhënë dorëheqjen nga parlamenti, pasi dolën lajme se ai kishte marrë fshehurazi pesë role shtesë gjatë mandatit të tij.
Ai e mbrojti vendimin e tij – i cili u mor gjatë pandemisë – si “të nevojshëm” në “kohë të jashtëzakonshme”.
Morrison është aktualisht anëtar i parlamentit për Cook.
Zbulimet shkaktuan bujë në publik dhe kolegë të tij, ku një e quajti sjelljen e tij “diktatoriale”.
Morrison u bë ‘ministër’ i përbashkët për portofolet e shëndetësisë, financave, thesarit, punëve të brendshme dhe burimeve nga marsi i vitit 2020 deri në maj të vitit 2021.
Në një konferencë për shtyp të mërkurën, Morrison mbrojti vendimin e tij duke thënë se ai “po vepronte në interesin kombëtar në një krizë” në rast se një ministër ishte i paaftë me Covid-19.
Ai shtoi se nuk kishte vepruar kurrë si ministër pavarësisht se ishte betuar fshehurazi në ato portofole.
Kur u pyet se pse ai nuk kishte zbuluar këto informacione për publikun e gjerë, ai argumentoi se ekzistonte rreziku që kompetencat që ai mori përsipër mund të ishin keqinterpretuar.
Politikani ka qenë nën kritika intensive ditët e fundit nga ish-kolegët e tij – përfshirë anëtarët e partisë së tij – dhe publiku i gjerë pas zbulimeve të fundit./UBTNews/