UBT News

Ish-kancelari austriak, Kurz tërhiqet nga politika

Ish-kancelari austriak, Sebastian Kurz njoftoi më 2 dhjetor se po tërhiqet nga politika, pothuajse dy muaj pasi dha dorëheqje nga posti. Kurz ishte i përfshirë në një skandal korrupsioni.

Njoftimi për tërheqje nga politika përmbyllë karrierën spektakolare të Kurzit i cili u bë kancelar në moshën vetëm 31-vjeçare, me çka u bë kreu më i ri i ndonjë qeverie i zgjedhur në mënyrë demokratike, në vitin 2017.

“Për mua fillon kapitull i ri në jetën time”, tha 35-vjeçari duke shtuar se do të donte të kalonte më shumë kohë me familje, sidomos të birin e sapolindur.

Kurz tha se nga 3 dhjetori do të dorëzojë edhe udhëheqjen me Partinë e tij konservatore, Popullore (OeVP).

“Vendimi nuk ishte i lehtë për mua”, tha ai në një konferencë për media duke shtuar se beteja e tij me pohimet për korrupsion kanë lënë pasoja tek ai dhe e zbehën pasionin për politikë.

Akuzat për korrupsion Kurz i ka mohuar që nga fillimi, derisa më 2 dhjetor përsëriti që shpreson të ketë rast që të dëshmojë pafajësinë e tij në gjykatë.

Akuzat për korrupsion u publikuan në tetor, kur Prokuroria urdhëroi bastisje në kancelarinë e shtetit dhe Ministrinë e Financave derisa hetohej që rrethi i ngushtë i tashmë ish-kancelarit shfrytëzoi paratë publike për të paguar sondazhe që do të përmirësonin imazhin e tij.

Sipas Prokurorisë së Austrisë, Kurz dhe nëntë individë të tjerë, sikurse edhe tre organizata janë duke u hetuar lidhur me këtë skandal./REL

Exit mobile version