Shahisti indian, Anwesh Upadhyaya më në fund është kthyer në shtëpi së bashku me të fejuarën e tij, Viktoriia Ivanova, pasi që nuk kishte mundur të largohen nga situata momentale në Ukrainë.
Ish-kampioni indian, i cili së bashku me shumë bashkëkombës të tij mbetën në Ukrainë pasi që lufta shpërtheu, kaloi nëpër shumë vështirësi para se të rikthehet në shtëpinë e tij në Bhubaneswar.
“Po, jam i lumtur që ne kishim mundësinë që të largoheshim dhe të riktheheshim në Indi pas shumë vështirësive, por Ukrainën gjithmonë do ta kemi në mendje”, tha Anwesh.
Pas plot dy javësh në pritje, Anwesh, një Mjeshtër Ndërkombëtar, arriti të largohet nga Kiev dhe të arrijë Lviv, pastaj në Indi nga shteti i Polonisë.
30-vjeçari Anwesh ishte duke kryer praktikën në një spital të Kievit në gastroenterologji, kur Rusia nisi operacionin ushtarak kundër Ukrainës.
Anwesh filloi të jetonte në Ukrainë në vitin 2012, për t’iu përkushtuar mjekësisë dhe për të marrë pjesë në gara të ndryshme të shahut.