Ish-gjyqtarja e procedurës paraprake, Drita Hoxha, ka deklaruar se procesverbali i bastisjes në lokalin Sekiraqa ishte bërë pa urdhër të saj, për shkak se nuk figuron emri i saj në këtë procesverbal.
Këtë deklaratë, Hoxha e ka dhënë në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e rigjykimit ndaj Enver Sekiraqës, i cili po dyshohet për nxitje në vrasjen e ish-policit Trimf Riza, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Sigurisht që jo. Aty ku nuk figuron emri im nuk e kisha lëshu, policia këtu ka hyrë me një nguti, unë kam analizuar këtë çështje policia me nguti ka hyrë në lokalin në fjalë për mos me kuptu kërkush dhe kanë harru me kërku urdhrin verbal për bastisje”, ka thënë dëshmitarja Hoxha.
Dëshmitarja Hoxha, e cila me 30 gusht 2007, kur kishte ndodhur vrasja e të ndjerit Triumf Riza, ka qenë gjyqtare e procedurës paraprake, tash e ushtron profesionin e avokates.
Hoxha ka thënë se për tri bastisje janë në rregull por jo edhe një tjetër pasi askush s’e kishte kontaktuar për të marrë miratimin e saj.
“Mandej çka ka bë zyrtari policor Merovci unë nuk e di, nuk ka kontaktuar me mu lidhur me këtë bastisje. Tri bastisje janë në rregull, emri im figuron, ndërsa ky procesverbal është përpiluar veç hajt ta kemi njëfarë mbulese nëse na vyn”, është përgjigjur dëshmitarja.
Pas këtij deklarimi, prokurori Haki Gecaj e pyeti të njëjtën se a e ka kundërshtuar mënyrën e sigurimit të këtyre provave në rastin konkret.
“Kërkesa nuk ka ardhur tek unë dhe nuk kam pas çka me kundërshtu”, ka thënë ajo.
Prokurori e pyeti se a ka deklaruar në shqyrtimin e kaluar se kjo provë është marrë në mënyrë të papranueshme dhe se policia ka vepruar me nguti.
“Nuk më kujtohet’, ka thënë dëshmitarja.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Haki Gecaj, dëshmitarja ka thënë se për rastin e vrasjes së Rizës, ishte njoftuar pas pranimit të lëndës dhe pasi rasti ka qenë mediatik dhe i rëndë.
“Nuk po më kujtohet”, ka deklaruar dëshmitarja Hoxha kur është pyetur se a pasur kërkesë nga policia dhe prokuroria për lëshimin e ndonjë urdhri verbal për bastisje të disa shtëpive dhe lokale.
Ajo ka thënë se nuk i kujtohet përmbajtja e shkresave të lëndës, nëse ka pasur procesverbale për këqyrjen e vendit të ngjarjes, procesverbale për kontrolle dhe bastisje.
Sipas saj, ka pasur raste kur janë lëshuar edhe urdhra verbal për bastisje dhe kontrolla në lokacione të ndryshme.
“Na e kemi pasur telefonin zyrtar dhe çdo stacion policor ka pasur orarin e gjyqtarëve kujdestar dhe ata e kanë thirr gjyqtarin, pas thirrjes kanë shpjeguar rastin që ka ndodhur, pse kërkohet urdhri gojor dhe pse është urgjente me hy menjëherë me bo kontrollin. Unë e kam shënuar emrin e policit, emri i të dyshuarit dhe adresën ku duhet me bo bastisje dhe arsyet pse duhet me urgjencë me hy”, ka thënë dëshmitarja.
Dëshmitarja ka thënë se qëndron prapa deklaratës së dhënë me 17 gusht 2015 në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.
Avokatja mbrojtëse e Enver Sekiraqës, Kosovare Kelmendi e ballafaqoi me një procesverbal të bastisjes së lokalit Sekiraqa më 30 gusht 2007, në të cilin nuk figuron emri i gjyqtares dhe e pyeti të njëjtën nëse do të kishte lëshuar urdhërese retroaktive me një procesverbal që nuk figuron emri i gjyqtarit.
“Kurrsesi nuk e kisha lëshuar unë një urdhër me shkrim pa qenë procesverbali i lëshuar sipas ligjit, sepse nuk është shënuar emri i gjyqtarit të procedurës paraprake i cili ka lëshuar urdhrit verbal për bastisje, ky procesverbal është katastrofë”, është përgjigjur ajo.
Avokatja e pyeti dëshmitaren se nëse asaj si gjyqtare e procedurës paraprake do t’i kishte ardhur një procesverbal i një bastisje, në të cilin është i shënuar emri i saj si gjyqtare e procedurës paraprake, në të cilin ishin konfiskuar gjëra por nuk figuron emri i ndonjë zyrtari policor.
“Me siguri nuk e kisha nënshkru sepse këtu është bërë bastisja pa prezencën e dëshmitarëve, policia ka mujt me bo çkado, sepse nuk janë shënuar emrat e dëshmitarëve”, ka thënë ajo.
Avokatja Kelmendi e pyeti në lidhur me katër procesverbale të bastisjes së katër lokacioneve, tre prej tyre mbajnë emrin e saj ndërsa në njërin, në bastisjen në lokalin Sekiraqa, nuk figuron emri i saj si gjyqtare të procedurës paraprake, dhe e pyeti të njëjtën se a do të kishte lëshuar urdhëresë për bastisje për një procesverbal në ë cilin mungon emri i saj.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi e pyeti dëshmitaren se në rast se gjyqtari i procedures paraprake ka dhënë pëlqimin për urdhër verbal, por prokurori nuk e ka përpiluar kërkesën për lëshimin e urdhrit retroaktiv për bastisje, provat e mbledhura gjatë bastisjes dhe kontrollit të shtëpisë a do të konsideroheshin si prova të pranueshme.
“Ato janë prova të papranueshme”, është përgjigjur dëshmitarja Hoxha.
Avokatja Kelmendi përsëri ka kërkuar që ndaj të mbrojturit të tij ti ndërpritet masa e paraburgimit dhe t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak, propozim të cilin e ka kundërshtuar prokurori special Haki Gecaj.
“Nuk e pengoj procedurën, sa herë të më thirrni jam prezent gjithmonë“, ka thënë i akuzuari Sekiraqa.
Trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Agim Kuçi, kanë marrë vendim që të mbetet në fuqi aktvendimi i 16 it 2021, më të cilin të akuzuarit Sekiraqa i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për 2 muaj.
Seancat e radhës pritet të mbahen me 7 dhe 8 tetor 2021, në ora 09:30, në të cilat pritet të dëgjohen dëshmitaret Adelina, Ema dhe Zanfina Ismaili si dhe dëshmitarja Kaltrina Berisha.
Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.
Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.
Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.
Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.
Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.
Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthejë në paraburgim, Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.
Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.
Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.
E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.
Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.
Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.
Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.
Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.
Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet.