Ish-drejtuesi i kompanisë Autostrade per l’Italia, Giovanni Castellucci, është dënuar me 12 vjet burgim për shembjen e urës Morandi në Xhenova, ku humbën jetën 43 persona në gusht të vitit 2018.
Vendimi u mor nga gjykata në Xhenova, ndërsa prokurorët kishin kërkuar një dënim më të ashpër për Castelluccin, i cili ishte në mesin e 57 të pandehurve në këtë proces gjyqësor.
Ura u shemb gjatë një stuhie shiu, duke bërë që automjete dhe kamionë të binin nga lartësia. Tragjedia ndodhi në kulmin e sezonit turistik dhe konsiderohet një nga fatkeqësitë më të rënda infrastrukturore në Itali.
Një tjetër ish-zyrtar i lartë i kompanisë, Michele Donferri Mitelli, u dënua me 11 vjet burgim.
Familjarët e viktimave e mirëpritën vendimin. Emmanuel Diaz, i cili humbi vëllanë në tragjedi, tha se ishte “shumë i kënaqur” me vendimin e gjykatës, ndërsa Egle Possetti, që humbi motrën dhe familjen e saj, e cilësoi dënimin ndaj Castelluccit si “të pranueshëm”.
Castellucci aktualisht po vuan edhe një dënim tjetër prej gjashtë vitesh burgim për një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në vitin 2013./A.K/
