Ish-deputeti serb, Dragan Shormaz ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq e ka organizuar sulmin në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
Në një tryezë me temën “Destabilizimi hibrid i rajonit dhe hapja e Urës së Ibrit”, Shormaz ka thënë se vtë Vuçiq asnjëherë nuk e ka mohuar një gjë të tillë, derisa ka shtuar se që është organizator i atij sulmi Vuçiq e di edhe Perëndimi.
“Për atë që ndodhi në Banjskë (unë e kam thënë disa herë dhe ja tani ku po e përsëris), e që askush deri më tani nuk e ka përmendur e që Aleksandar Vuçiq asnjëherë nuk ka thënë se nuk është e vërtetë, pastaj disa nga partitë politike opozitare thonë se ai nuk ka kurrfarë lidhje me këtë, por ja që unë dua të them se aksioni që na solli deri të Banjska, direkt ka qenë i organizuar nga Aleksandar Vuçiqi, e që këtë gjë natyrisht e dinë mirë edhe partnerët tanë nga perëndimi. Nuk po them se Aleksandar Vuçiq e ka ditur se do të vritet polici shqiptar në Banjskë, nuk po them se Aleksandar Vuçiq e ka ditur se çfarë do të ndodhë në Banjskë konkretisht, por po them se i tërë ai aksion ka qenë i organizuar nga ana e tij dhe ata 200-300 njerëz nga veriu kanë qenë të organizuar prej tij, kanë qenë të armatosur, e që të gjithë e dimë se me çka kanë qenë të armatosur, kurse tani ajo do të jetë pjesë edhe e procesit gjyqësor në Prishtinë”, ka thënë ai.
Shormaz, i cili ka qenë deputet për 20 vjet në Serbi, e edhe nga radhët e SNS-së, ka treguar edhe për prejardhjen e armëve që janë përdorur në Banjskë.
“Armët janë nxjerrë nga depot dhe kazermat e Ushtrisë së Serbisë për shkak se presidenti ynë ka menduar se ai aksion do të ketë sukses, por që përfundoi tragjikisht me katër jetë njerëzish dhe pa suksesin siç ishte planifikuar që katër komunat veriore plotësisht dhe totalisht t’i shkëputeshin qeverisjes së Kosovës, dhe hajde le të mos themi t’i bashkoheshin Serbisë sepse kjo ndoshta ishte planifikuar për të ardhmen, sepse përndryshe mua në vitin 2010 Aleksandar Vuçiq ma ka thënë në fytyrë se ‘më së miri do të ishte që katër komunat t’i bashkoheshin Serbisë dhe pjesa tjetër e Kosovës të bëhet e pavarur’, etj”, u shpreh ai.
Në sulmin terrorist në Banjska, për të cilin përgjegjësinë e mori krimineli Milan Radoiçiq, kishte mbetur i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Policia e Kosovës ka konfiskuar armatim të madh në atë pjesë të territorit, Radojciq vazhdon të jetë i lirë në Serbi, ndonëse është i kërkuar nga Interpoli.