Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar nga akuza ish-deputetin e LDK-së, Shkumbin Gashi dhe Sylë Balaj, pasi nuk është provuar se ata kanë kryer veprën penale për të cilën akuzoheshin nga Prokuroria Speciale.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli, tha se “…nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen andaj të njëjtit lirohen nga akuza”.
Shpallja e aktgjykimi është bërë sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë në prezencë të akuzuarve Gashi, me mbrojtësin, avokatit Admri Kurmehaj dhe Balajt me mbrojtësin, avokatin Xhafer Tahiri, ka shkruar ky i fundit në një postim në Facebook.
Shkumbin Gashi, Kastriot Blakaj, Dardan Blakaj, Tahir Shala dhe Sylë Balaj akuzoheshin për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.
Në maj 2023, Kastriot Blakaj është dënuar me dy vjet burgim me kusht, ndërsa në gusht 2023 Shpëtim Shala ishte dënuar me 11 muaj burgim me kusht. Në maj 2023, Tahir Shala ishte dënuar me 20 muaj burg me kusht, ndërsa Dardan Blakaj në prill 2023 ishte dënuar me 11 muaj burg me kusht.