Ligjëruesi me përvojë, ish-deputetit i Parlamentit të Kosovës, Driton Lajçi ka zhvilluar një ligjëratë tematike rreth lidershipit dhe besimit me studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT.
Në kuadër të lëndës “Hyrje në Menaxhment”, në bashkëpunim me profesorin Fisnik Bytyqi, ligjëruesi Lajçi tregoi raste të ndryshme gjatë përballjes me liderë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe rreth qasjes që është dashur të merret për të arritur rezultatet më të mira të mundshme.
Gjatë diskutimit me studentë, Lajçi ka integruar përvojën e tij në trajtimin e temave të ndryshme nga lëmia e lidershipit dhe atë identifikimin e sjelljeve të lidershipit, atributet e një lideri të mirë, burimet e lidershipit, sjelljet e liderit, vendimmarrja e liderit, qasja e liderit në ballafaqimin e situatave të ndryshme, dallimin e liderit nga menaxheri, si dhe dallimin e liderit politik nga lideri biznesor, etj.
Lajçi theksoi se atributet kryesore që duhet të ketë një lider i mirë janë aftësitë e mira komunikimi dhe integriteti i lartë. Këto janë atributet kyçe, por duke mos injoruar edhe atributet tjera sikurse vizioni, kredibiliteti, ndjeshmëria, njohuria, fleksibiliteti dhe shumë atribute tjera.
Më tutje ai theksoi se secili lider përdor aftësitë e tij/saj për të rritur bazën e mbështetësve, si për shembull: ka lider që ka ndikim të madh te mbështetësit bazuar në personalitetin karizmatik apo ekspertizën, fuqinë referuese, arritjet, etj. Pra, forcimi i bazës mbështetëse mund të arrihet në forma të ndryshme dhe varësisht nga mënyra se si shfrytëzohet nga lideri gjithmonë duke u bazuar në pikat më të forta të tij/saj.
Temat e diskutuara dhe mbuluara gjatë mbarëvajtjes së diskutimit me studentë ishin shumë frytdhënëse dhe ngjallën interesimin e studentëve për zhvillime të ndryshme në Kosovë dhe jashtë kufijve kombëtar.
Driton Lajçi ka një përvojë të gjatë në poste të ndryshme publike duke qenë ish-nënkryetar i Unionit të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, ish-deputet i Parlamentit të Kosovës, ish-ministër i Rinisë në Qeverinë e bashkë-qeverisur me UNMIK-un, ish-shef i Zyrës për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Gjykata Speciale, Drejtues në Post Telekomin e Kosovës, profesor universitar, etj.