UBT News

Ish-anesteziologu francez dënohet me burgim të përjetshëm për helmimin e 30 pacientëve

Një ish-anesteziolog francez është dënuar me burgim të përjetshëm pasi u shpall fajtor për helmimin e qëllimshëm të 30 pacientëve, 12 prej të cilëve humbën jetën.

Frédéric Péchier, 53 vjeç, u dënua të premten pas përfundimit të një gjyqi katërmujor në qytetin lindor të Besançon, në një nga rastet më të rënda të keqpërdorimit mjekësor të regjistruara ndonjëherë në Francë.

Sipas hetimeve dhe aktakuzës, Péchier kishte futur substanca kimike si klorur kaliumi ose adrenalinë në qeset e infuzionit të pacientëve, duke shkaktuar arreste kardiake ose hemorragji të papritura gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale.

Viktima më e re ishte një fëmijë katërvjeçar, i cili i mbijetoi dy arresteve kardiake gjatë një operacioni rutinë të bajameve në vitin 2016. Viktima më e moshuar ishte 89 vjeç.

Ju jeni Doktor Vdekja. Një helmues, një vrasës. Ju turpëroni gjithë profesionin mjekësor”, deklaruan prokurorët gjatë seancave përmbyllëse, duke shtuar se ai “e kishte kthyer klinikën në një varrezë”.

Sipas prokurorisë, Péchier shpesh nuk ishte anestezisti kryesor në operacione. Ai dyshohet se mbërrinte herët në klinikë për të manipuluar qeset e infuzionit, ndërsa më pas, kur pacientët pësonin komplikacione, ndërhynte vetë për t’u paraqitur si “shpëtimtari”.

Në 12 raste, ndërhyrja erdhi shumë vonë ose nuk ndodhi fare, duke përfunduar me vdekjen e pacientëve.

Hetimi nisi në vitin 2017, kur në qesen e infuzionit të një pacienteje u gjet një tepricë e rrezikshme kloruri kaliumi. Autoritetet zbuluan një model alarmues “ngjarjesh serioze të padëshiruara” në klinikën private Saint-Vincent në Besançon.

Ndërsa mesatarja kombëtare për vdekje nga arresti kardiak nën anestezi ishte 1 në 100 mijë, në këtë klinikë shifra ishte më shumë se gjashtë herë më e lartë. Anomalia u zhduk kur Péchier u largua përkohësisht dhe u rikthye sapo ai u kthye në klinikë. Pas pezullimit të tij nga profesioni në vitin 2017, rastet u ndalën përfundimisht.

Gjatë gjyqit, Péchier mohoi vazhdimisht akuzat, duke deklaruar se kishte respektuar “betimin e Hipokratit”. Megjithatë, dëshmia e tij ndryshoi disa herë dhe ai pranoi se mund të ketë pasur “një helmues tjetër” në klinikë.

Psikologu i gjykatës e përshkroi atë si një person me personalitet të dyfishtë, i aftë të shfaqej i respektueshëm në publik, por edhe të shkaktonte dëme të mëdha.

Tani, Péchier pritet të kalojë të paktën 22 vite pas hekurave. Ai ka 10 ditë kohë për të apeluar vendimin.

Është fundi i një makthi”, tha Sandra Simard, një nga pacientet që i mbijetoi helmimit. Një tjetër i mbijetuar, Jean-Claude Gandon, u shpreh: “Tani mund të kemi një Krishtlindje më të qetë”./BBC

Exit mobile version