Këshilli i 31-të Ministror i OSBE-së në Maltë përfundoi me vendimet kryesore për emërimin e katër zyrtarëve të lartë që do të drejtojnë Sekretariatin dhe institucionet e OSBE-së. Ky zhvillim thekson angazhimin e qëndrueshëm të 57 shteteve pjesëmarrëse për të forcuar aftësinë e Organizatës për të vepruar, sidomos në kohë krizash dhe konflikti.
Kryesuesi i OSBE-së, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe i Turizmit i Maltës, Ian Borg, përshëndeti emërimin e katër zyrtarëve të rinj në postet kryesore të OSBE-së:
Feridun Sinirlioğlu (Turqi) – Sekretar i Përgjithshëm i OSBE-së
Maria Telalian (Greqi) – Drejtore e Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR)
Christophe Kamp (Holandë) – Komisioner i Lartë i OSBE-së për Pakicat Kombëtare
Jan Braathu (Norvegji) – Përfaqësues i OSBE-së për Lirinë e Medias
Borg theksoi se këto emërime riafirmojnë rolin kritik të OSBE-së si një platformë për dialog dhe bashkëpunim dhe janë një sinjal i vendosmërës kolektive të shteteve pjesëmarrëse për të forcua Organizatën dhe për ta pajisur atë me aftësinë për të përgjigjur në mënyrë efektive ndaj peizazhit të sigurisë që ndryshon vazhdimisht.
Borg theksoi rëndësinë e këtyre emërimeve: “Ky vit ka demonstruar domosdoshmërinë e OSBE-së për forcimin e kauzës së paqes dhe për rindërtimin e besimit dhe sigurisë. Konsensusi për këto emërime nuk është thjesht një rutinë administrative është një dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët ndaj parimeve dhe vlerave që janë në themel të kësaj organizate”, u shpreh ai.
Borg theksoi gjithashtu rëndësinë e qasjes gjithëpërfshirëse të OSBE-së ndaj sigurisë, duke përfshirë dimensionet politiko-ushtarake, ekonomike, mjedisore dhe njerëzore. Ai nënvizoi se OSBE-ja mbetet një gur themeli për trajtimin e sfidave të ndërlidhura globale, nga adresimi i konflikteve dhe ndryshimeve klimatike deri te promovimi i qëndrueshmërisë demokratike.
Borg përshkroi kontributet jetike të stafit dhe misioneve të OSBE-së në terren. Ai theksoi se “forca e Organizatës qëndron në diversitetin e saj dhe në individët e përkushtuar që punojnë pa u lodhur për t’i shndërruar parimet në veprim.”
Në fund, Borg shprehu mbështetje për kryesimin e ardhshëm të Finlandës në 2025, vit që do të shënojë gjithashtu 50-vjetorin e Aktit Final të Helsinkit. “Malta do të vazhdojë të punojë ngushtë me Finlandën si pjesë e Trojkës së OSBE-së, duke siguruar që Organizata të mbetet elastike dhe e përgatitur për sfidat përpara”, tha ai.
Ministrja e Punëve të Jashtme e Finlandës dhe Kryetarja e ardhshme e Radhës e OSBE-së, Elina Valtonen, falënderoi Maltën për administrimin e shkëlqyer të OSBE-së gjatë vitit 2024 dhe theksoi se Finlanda mezi pret të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë si pjesë e Trojkës së OSBE-së./UBTNews/