Një koncert zërash pa harmoni” e quan Giffoni dialogun Kosovë-Serbi duke kritikuar lëvizjet e nxituara dhe jo-largëpamëse të BE dhe SHBA.
Në një analizë të gjatë të publikuar nga Instituti për Studimin e Politikës Ndërkombëtare, Itali, ish-ambasadori i Italisë në Kosovë Michael L. Giffoni ndalet gjatë në procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë përgjatë vitit pandemik 2020 e më tej.
Në botimin me titull “Pandemia në Ballkan: Gjeopolitika dhe Demokracia në Rrezik (The Pandemic in the Balkans: Geopolitics and Democracy at Stake), Giffoni ndalet gjatë në zhvillmet më të fundit rreth dialogut ku në titull lexohet pyetja retorike “Beograd dhe Prishtinë: Dialog mes shurdhësh, udhëhequr nga të verbrit?”. Me këtë titull thumbues, Giffoni i drejtohet temës së dialogut në pozitën e ekspertit, duke shpalosur një analizë të pikave kryesore të dialogut prej 2011-ës.
Ai konsideron në këtë artikull pozitën historikisht të paqëndrueshme si të BE-së edhe SHBA-ve në lidhje me dialogun, duke e marrë këtë proces si shembullin kryesor të një bisede midis dy palëve shurdhe. Ndërsa nënvizon kritikat për palët nga Kosova dhe Serbia si palë që nuk dëgjojnë asnjë kompromis me tjetrin, ai thekson se BE dhe SHBA shpesh herë nuk e kanë patur të qartë vizionin se çfarë kërkonin nga ky proces.
“Një koncert zërash pa harmoni” e quan Giffoni dialogun Kosovë-Serbi duke kritikuar lëvizjet e nxituara dhe jo-largëpamëse të BE dhe SHBA.
Ish-ambasadori theskon se ka dy çështje kryesore në dialog: njohja reciproke midis Kosovës dhe Serbisë si dhe statusi i administrimit të zonave me shuimicë serbe në Kosovë. Pa kaluar thelbësisht në zgjidhjen e këtyre dy çështjeve, ai nuk beson se do të ketë rezultat konkret. Ndërsa këto dy çështje mund të jenë të njohura publikisht, është e rëndësishme të theksohet se ambasadori Giffoni i analizon ato si pjesë së të njëjtit problem dhe jo si dy çështje të ndryshme, si dështime të Serbisë dhe Kosovës njëkohësisht.
Në konkluzion të esesë së tij mbi dialogun, Giffoni shprehet:
Më në fund, sa i përket një kompromisi që ia vlen të ndiqet, ka shumë mundësi, por vetëm njëra prej tyre ende duket më e zbatueshme; mundësia për të përcaktuar një sistem të zbatueshëm të autonomisë për komunitetet dhe komunat serbe të Kosovës, mbase dhe me krijimin e zonave të reja autonome si për serbët në Kosovë dhe për shqiptarët në Serbi. Kjo qasje mund të hapë rrugën për një normalizim të marrëdhënieve, duke çuar përfundimisht në njohjen reciproke mes shteteve të cilat më pas mund të procedojnë pa parakushte përgjatë rrugës së tyre të integrimit në BE.…… Alternativa do të ishte kthimi në temën e ndërrimit të kufijve, qasje kjo në zemër të dështimit të dialogut në të kaluarën. Për ata që e njohin Ballkanin e 30 viteve të fundit, ky do të ishte një precedent i rrezikshëm për destabilizim.
Giffoni e mbyll artikullin e tij duke thënë se një dialog mes të shurdhëve është i mundur për aq kohë sa edhe nuk udhëhiqet nga të verbrit.
Michael L. Giffoni ka shërbyer si Ambasadori i parë i Republikës së Italisë në Kosovë gjatë viteve 2008-2013 dhe ka qenë një proponent i zëshëm i dialogut të ndërmjetësuar nga BE/UBTNEWS
(Realdo Silaj)