Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, protestën e djeshme në veri të vendit e ka quajtur veprim të stimuluar nga Beogradi.
Sipas tij, veprime të tilla minojnë atë që është arritur në më shumë se dhjetë vitet e fundit dhe se tregojnë fytyrën e vërtetë të regjimit të Aleksadar Vuçiqit.
“Ky veprim i stimuluar nga Beogradi minon gjithçka që është arritur në më shumë se 10 vitet e fundit në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Do të thotë se regjimi i Vuçiqit e tregon fytyrën e vërtetë: nuk ka dëshirë për paqe dhe pajtim. Ku të shkojmë….”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.
Të shtunën, përfaqësuesit e serbëve kanë dhënë dorëheqje nga komunat lokale në veri të Kosovës, nga gjyqësori, policia si dhe nga Qeveria e Kuvendi i Kosovës.
Paralajmërimet e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.