Ish-ambasadori në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, i cili ka shërbyer si këshilltar i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ka reaguar pas deklaratave të zëvendëskryeministres Donika Gërvalla në Forumin e Dubrovnikut me moton “Manovrimi në riformësimin botëror”.
Deklaratat e Gërvallës se “Bashkimi Evropian pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pa NATO-n është i paaftë që të garantojë siguri”, Arifi i quan ‘horror të vërtetë”.
“Kosovë a je ti? Horror i vërtetë dhe thjeshtë qëndrim i gërditshëm fyerja që Ministrja e Jashtme e Kosovës i bëri sot BE-së në Dubrovnik. Nëse fjala e popullit se ‘dikënd e vret buka e vet’ është e vërtetë atëherë se Evropën po e vret buka që i ka dhanë dhe vazhdon të i jep popullit dhe shtetit të Kosovës”, ka shkruar ai.
Ish-ambasadori Arifi ka thënë po ashtu se nuk do që të jetë i përfaqësuar nga dikush që e fyen Evropën dhe vlerat e saj.
“Unë si qytetar i Kosovës as sot as kurrë s’do të jem i përfaqësuar nga dikush dhe kushdo që në këtë nivel fyen Evropën dhe vlerat Evropiane. BE është aspiratë e vetme e popullit të Kosovës. Asnjëherë në histori populli i Kosovës nuk ka pasur aspiratë më të shëndosh dhe më premtuese për mirëqenien e Kosovës sesa anëtarësimi në këtë familje që historikisht aty edhe e ka vendin”, ka përfunduar ai.