Naim Ramizi, ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, e ka quajtur hipokrizi aksionin e VV-së për rastin Dehari, në prag të zgjedhjeve, kur sipas tij, kjo parti e ka qeverinë, çdo ministri dhe “pushtetin absolut në këtë vend”.
Ramizi ka thënë se mendon që rasti i Astrit Deharit është zgjidhur por se ”zgjidhja që i kënaq apetitet politike të Vetëvendosjes nuk është arritur”.
Ai ka shtuar se është e dhimbshme mungesa e drejtësisë dhe ajo që po ndodhë me këtë rast.
“Rasti i fundit është rasti më flagrant i mundshëm, ku Vetëvendosjen e kemi në qeveri, kur Vetëvendosja menaxhon Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe krejt pushtetin absolut në këtë vend, edhe me u ngritë në protestë tash në prag të zgjedhjeve, është hipokrizi. Për mua është e dhimbshme drejtësia që nuk po i jepet Astrit Deharit. Ai është më i gjallë se shpirti tyre i vdekur”.
“Mendoj se ky rast është i zgjidhur por zgjidhja që i kënaq apetitet politike të Vetëvendosjes nuk është arritur. Prandaj, sa herë atyre ju duhet oksigjen artificial politik, nuk kanë ku të frymëzohen tjetër pos te Astrit Dehari. E pandershme, e pahijshme, e pafalshme”, ka thënë ai.