Rreth 500 vendvotime që u takojnë Zgjedhjeve për Kuvende Komunale të 17 tetorit, do të rinumërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Kështu ka vendosur Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pas më shumë se 350 ankesave të paraqitura në këtë institucion nga kandidatët për kuvende komunale kundër rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja.
Nga ky numër i vendvotimeve që do të rinumërohen, rreth 450 janë vendvotime të rregullta, ndërsa janë përfshirë edhe dengje të votave me kusht dhe atyre me postë. Bëhet fjalë për 10 dengje të votave me kusht nga Mitrovica e Jugut dhe 8 Podujevë, si dhe disa dengje të votave nga jashtë Kosovës që u takojnë komunave Mitrovicë e Jugut, Podujevë, Pejë dhe Prizren.
Këto të dhëna të paraqitura në mbledhjen e KQZ-së janë jo-përfundimtare, pasi do të shikohen edhe një herë të dhënat nga vendimet e PZAP-it.
Tutje, KQZ ka shqyrtuar rekomandimin për zëvendësimin e deputetit Isak Shabanin në vend të ish-deputetit Fadil Nura, ku ky i fundit fitoi zgjedhjet për kryetar të Komunës së Skenderajt.