Modelja e njohur ruse, Irina Shayk, ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram momente nga vizita në Universitetin e Oxfordit, ku ishte e ftuar si folëse në një aktivitet të organizuar nga Oxford Union.
Shayk e cilësoi ftesën si një nder të veçantë, duke theksuar rëndësinë e Oxford Union si një institucion që ka pritur ndër vite mendimtarë, udhëheqës dhe figura me ndikim në shoqëri.
“Falënderoj Oxford Union dhe Universitetin e Oxfordit për mundësinë që të ndaj rrugëtimin tim. Jam shumë mirënjohëse për pritjen e ngrohtë, bisedat e thelluara dhe momentet e paharrueshme”, ka shkruar ajo.
Modelja publikoi disa fotografi nga vizita e saj në Oxford, ku u shfaq me një kostum elegant të zi. Në njërën prej fotografive ajo pozonte me librin “Mysafirët e shquar të Oxford Union”.
Ligjërata e saj tërhoqi interesimin e studentëve të shumtë, të cilët morën pjesë në aktivitet dhe ndoqën me vëmendje rrëfimin e saj për karrierën dhe përvojat personale.
Postimi i Shayk mori mijëra reagime nga fansat, të cilët e uruan për këtë arritje dhe i shprehën mbështetjen e tyre./A.K/
