UBT News

Irani vendos edhe më shumë sanksione ndaj zyrtarëve evropianë

Teherani ka vendosur edhe më shumë sanksione ndaj zyrtarëve dhe subjekteve evropiane për “mbështetje të terrorizmit” dhe “nxitje të trazirave” në Iran.

Ministria e Jashtme e Iranit të mërkurën futi në listë të zezë tri entitete dhe 22 persona nga Bashkimi Evropian, si dhe një entitet dhe tetë zyrtarë nga Mbretëria e Bashkuar.

Brenda BE-së, Irani sanksionoi Radio J, një radio stacion i komunitetit hebre që ndodhet në Paris; Miqtë evropianë të Izraelit në Parlamentin Evropian; dhe kompaninë e ndërtimit Heberger për “pjesëmarrje në ndërtimin e pajisjeve të fabrikës” që dyshohet se janë përdorur për krijimin e armëve kimike të përdorura në luftën Iran-Irak në vitet 1980.

Irani sanksionoi edhe disa anëtarë të Parlamentit Evropian, zyrtarë të qytetit, komandantë të policisë dhe ushtrisë, dhe tre drejtues të revistës satirike franceze Charlie Hebdo, e cila kohët e fundit publikoi një varg karikaturash duke i tallur liderët iranianë./UBTNews/

Exit mobile version