Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se lufta nuk mund të konsiderohet e përfunduar plotësisht pa tërheqjen e forcave izraelite nga zonat e pushtuara në Liban. Sipas tij, fundi i konfliktit në Liban është pjesë e pandashme e marrëveshjes së përkohshme mes Iranit dhe SHBA-së.
“Pa tërheqjen e forcave izraelite nga territoret që pushtuan gjatë kësaj lufte, lufta nuk ka përfunduar plotësisht”, ka deklaruar Araghchi.
Megjithatë, kjo kërkesë është kundërshtuar nga Izraeli. Zyrtarë amerikanë kanë bërë të ditur se marrëveshja e arritur ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit nuk përfshin kushtin për tërheqjen e ushtrisë izraelite nga Libani.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se forcat izraelite do të qëndrojnë në Liban për aq kohë sa do të konsiderohet e nevojshme.
Marrëveshja mes SHBA-së dhe Iranit, e cila ende nuk është publikuar zyrtarisht, pritet të nënshkruhet të premten në Zvicër dhe synon vendosjen e një armëpushimi më të gjerë, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe nisjen e negociatave 60-ditore për programin bërthamor iranian dhe lehtësimin e sanksioneve.
Konflikti në Liban mbetet një nga çështjet më të ndërlikuara të marrëveshjes, ndërsa palët vazhdojnë të japin interpretime të ndryshme për përmbajtjen e saj.
Burimi: Reuters.
/A.K/
