UBT News

Irani synon të instalojë centrifuga ‘të reja dhe të avancuara’

Irani ka njoftuar se do të fillojë instalimin e një numri centrifugash të reja dhe të avancuara, si përgjigje ndaj një rezolute të miratuar nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), e cila kritikoi vendin për bashkëpunim të dobët dhe kërkoi që të përmbushë detyrimet ligjore. Komunikata e lëshuar nga Ministria e Jashtme dhe Organizata për Energji Atomike e Iranit, konfirmoi urdhrin e kreut bërthamor Mohammad Eslami për të filluar një seri të rëndësishme centrifugash të reja dhe të avancuara.

Rezoluta e miratuar më 21 nëntor nga IAEA, e mbështetur nga shtetet perëndimore si Franca, Britania dhe Gjermania, dhe Shtetet e Bashkuara, shprehu shqetësimin për aktivitetet bërthamore të Iranit, duke theksuar urgjencën e bashkëpunimit të plote të Iranit me hetimin ndërkombëtar pas gjetjes së grimcave të uraniumit në dy lokacione që nuk ishin raportuar më parë. Kjo masë vjen në një kohë të tensionuar politik, pasi Donald Trump është duke u përgatitur të kthehet në Shtëpinë e Bardhë në janar, duke ngritur shqetësime për një mundësi të rritjes së presionit dhe sanksioneve ndaj Iranit.

Gjatë një vizite të shefit të IAEA-s, Rafael Grossi, në Iran, u arrit marrëveshja për të kufizuar sasinë e uraniumit të pasuruar deri në 60 për qind, ndërkohë që kërkesa për armë bërthamore është uranium i pasuruar deri në 90 për qind. Megjithatë, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, ka paralajmëruar se Irani nuk do të negociojë nën presion, duke theksuar se vendi i tij ka të drejtë të zhvillojë programin bërthamor për qëllime paqësore, siç pretendon./UBTNews/

Exit mobile version