Irani ka shfuqizuar njësitë e tij policore të moralit mes protestave të vazhdueshme që u shkaktuan nga vdekja e Mahsa Aminit, një 22-vjeçareje iraniane e cila u vra për gjoja shkelje të kodit të veshjes së vendit.
Protestat e udhëhequra nga gratë, të cilat u etiketuan si “trazira” nga autoritetet kanë qenë të vazhdueshme në rrugët e Iranit që nga vdekja e Aminit, tre ditë pasi ajo u arrestua nga policia e moralit në Teheran, transmeton UBT News.
Ato dogjën mbulesën e tyre të detyrueshme të kokës, duke mbajtur parulla anti-qeveritare, me një numër në rritje të grave që ndaluan së veshuri hixhabet e tyre – në shenjë proteste.
“Policia e moralit nuk ka asnjë lidhje me gjyqësorin dhe është shfuqizuar”, citohet të ketë thënë prokurori i përgjithshëm, Mohammad Jafar Montazeri për agjencinë e lajmeve ISNA. “Gjyqësori vazhdon të monitorojë veprimet e sjelljes në nivel komuniteti”, shtoi ai.
Megjithatë, heqja e policisë së moralit nuk është garanci se do të mjaftojë për të ndalur protestat e nisura në fund të shtatorit.
“Vetëm për shkak se qeveria ka vendosur të shfuqizoj policinë e moralit, kjo nuk do të thotë se protestat po marrin fund”, tha një grua për BBC.
“Edhe qeveria që thotë se hixhabi është një zgjedhje personale nuk mjafton. Njerëzit e dinë se Irani nuk ka të ardhme me këtë qeveri në pushtet. Ne do të shohim më shumë njerëz nga fraksione të ndryshme të shoqërisë iraniane, të moderuar dhe tradicionalë, që do të dalin në mbështetje të grave për marrin më shumë nga të drejtat e tyre”.
Një grua tjetër shtoi se nuk i intereson më rregulli për mbulesën. “Ne kemi dalë pa të për 70 ditët e fundit”, u shpreh ajo.
Gjatë protestave, gratë iraniane kanë hedhur dhe djegur shamitë e tyre, bartja e të cilave që ishte e detyrueshme sipas kodeve konservatore të veshjes të Iranit./UBTNews/