UBT News

Irani përjashton bisedimet bërthamore me SHBA nën presidencën Trump

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka kundërshtuar kategorikisht mundësinë e zhvillimit të negociatave me administratën e presidentit amerikan Donald Trump, duke e përjashtuar çdo mundësi për një marrëveshje të re bërthamore mes të dyja shteteve.

“Askush nuk duhet të negociojë me një qeveri si kjo”, tha Khamenei të premten, duke theksuar se negociatat me Shtetet e Bashkuara nuk do të sjellin zgjidhje për problemet e Iranit. “Negocimi me Amerikën nuk do të zgjidhë asnjë problem. Provë? Përvojë!”, shtoi udhëheqësi iranian.

Khamenei e akuzoi administratën e SHBA-së për mosrespektimin e detyrimeve të saj në kuadër të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, e cila ishte arritur në Vjenë dhe që parashikonte kufizimin e aktiviteteve bërthamore të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike. Ai e vuri theksin në faktin se kjo marrëveshje ishte thyer nga presidenti i kaluar amerikan, Donald Trump, kur ai u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018, duke krijuar një krizë diplomatike të rëndë.

“Amerikanët nuk e respektuan atë marrëveshje. Po i njëjti person që është tani në detyrë e prishi marrëveshjen”, theksoi Khamenei, duke i bërë një thirrje të drejtpërdrejtë administratës Trump, që të mos presë bisedime të tjera me Iranin.

Në sfondin e një krize ekonomike të thellë, për shkak të sanksioneve të ashpra perëndimore, fitorja e Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit ka ngjallur një debat të brendshëm në Teheran mbi mundësinë e rifillimit të negociatave dhe heqjen e sanksioneve. Trump ka sugjeruar mundësinë e bisedimeve nëpërmjet një postimi në platformën e tij “Truth Social” të martën, duke theksuar se ai është i gatshëm për një “marrëveshje të verifikuar të paqes bërthamore” me Iranin, ndërkohë që insistonte në faktin se Irani “nuk mund të ketë një armë bërthamore”.

Në këtë kontekst, presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka treguar gatishmërinë për t’u angazhuar në bisedime, por theksoi se vendimi përfundimtar do të marrë formë vetëm nën udhëheqjen e Khameneit, i cili ka të drejtën e vendimmarrjes finale në çështje të tilla të rëndësishme për sigurinë kombëtare të Iranit.

Exit mobile version